Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar të hënën programin e PD për Shëndetësinë, duke garantuar paga dinjitoze për mjekët e infermierët.
Në fjalën e tij, Basha tha se, “për të pasur një shëndetësi më të mirë, duhet më së pari të shërojmë vendin tonë”.
“Sot, ne angazhohemi dhe u garantojmë gjithë shqiptareve se do të bëjmë një ndryshim në shëndetësi, që do të sjellë një jetë më të shëndetshme dhe më cilësore për të gjithë, pa përjashtim. Shqiptarët paguajmë më shumë nga çdo vend tjetër në rajon para nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar europian”, – tha Basha.
Duke u ndalur te pikat kryesore të planit, Basha tha se, “pacienti do të vendoset në qendër të sistemit sipas parimit “paraja ndjek pacientin”. Ju vetë do të zgjidhni mjekun e familjes, klinikën, apo spitalin ku doni të kuroheni. Spitalet publike do të riorganizohen duke dhënë autonomi menaxheriale, për të rritur kujdesin dhe aftësinë për t’ju shërbyer ju sa më mirë. Do të ketë paga dinjitoze për mjekët dhe infermieret. Në programin tonë Shqipëria fiton Shëndetësinë, paga e infermiereve do të bëhet 700 euro dhe e mjekëve do të bëhet 1200 euro”.
“Ne do të rrisim numrin e mjekëve dhe do të hapim një fakultet të ri mjekësor në Shqipëri. Ne do të sigurojmë menjëherë bazën ligjore dhe do të ushtrojmë kontroll të plotë që në Shqipëri të shiten vetëm ilaçe të cilësisë së lartë të standardit të vendeve europiane. Ilaçet do të rimbursohen sipas diagnozës dhe jo sipas skemës aktuale kufizuese që lë jashtë saj shumë medikamente për njerëzit dhe i detyrojnë ata të paguajnë nga xhepi”, – theksoi Basha.
“Riorganizimi i shërbimit të shëndetit publik do të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të jemi të përgatitur të përballojmë me sukses edhe sfidat e së ardhmes. Programi ynë Shqipëria fiton Shëndetësinë ka në fokus dhe kujdeset për shëndetin e secilit prej jush dhe brezave që vijnë. Mjekët dhe infermierët nuk do ta braktisin më vendin, sepse me planin tonë Shqipëria fiton shëndetësinë, do t’ia vlejë të punojnë në vendin e tyre. Dhe do të shpenzojmë më pak para nga xhepi për shëndetin dhe për mjekësinë!” – theksoi Basha.
Kreu i departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi duke u ndalur në disa nga pikat kryesore në këtë plan tha se, “asnjë qytetar shqiptar nuk do të paguajë nga xhepi për analizat, diagnostikimin dhe mjekimin e tij. Ne do të ndjekim parimin: pacienti zgjedh ofruesin, paraja ndjek pacientin”.
“Çdo pacient do të marrë me rimbursim barnat që nevojiten për kurimin e sëmundjes bazuar në protokollet më të mira botërore të mjekimit. Do të reformojmë sektorin farmaceutik, me qëllim që çdo shqiptar të marrë barna të cilësisë së njëjtë me një qytetar të Bashkimit Europian apo të vendeve të zhvilluara ekonomike. Ne do të rrisim numrin e studentëve që do të studiojnë për mjekësi, qoftë përmes rritjes së kapaciteteve aktuale të Fakultetit të Mjekësisë, apo hapjes së një fakulteti të ri publik”, tha ai.
Më tej Koduzi tha se specializantët do të paguhen me 950 euro në muaj dhe do të zerojmë kuotën e studimit prej 115000 lekë si dhe duke lënë të hapur punësimin e tyre pas specializimit bazuar në konkurrimin e lirë pranë çdo spitali.//atsh///https://www.facebook.com/watch/?v=424865218747524
ME SHUME LAJME
”The Times” . Nga Mesdheu në Afrikë: Riviera Shqiptare mes vendeve më të rekomanduara për pushime
Takimi i Ramës në Vlorë, zbardhen porositë e kryeministrit në prag të sezonit turistik.
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë