Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është rikthyer pas më shumë se një viti skenës politike.
Në takimin e tij me të rinjtë në Tiranë, Basha i ftoi të gjithë qytetarët të bëhen bashkë për të nisur një rrugë të re që do t’u mundësojë shqiptarëve fuqinë e votës.Kjo e fundit, thotë Basha arrihet vetëm përmes listave të hapura zgjedhore.
“Kjo është një nga projektet për të cilat dua të ftoj të gjithë ata që të nisim bashkë një rrugëtim më këtë propozim për të ndryshuar sistemin e falimentuar politik të Shqipërisë, për t’i dhënë fund kapjes së shtetit. E duam këtë gjë apo jo? Jam i bindur që e duam sepse është një nga gjërat që kam dëgjuar nga gojët e bashkëqytetarëve të mi, është koha të nisim një rrugëtim për ta bërë realitet, duke përdorur atë hapësirë që kemi sot për t’ju imponuar politikës së mbrapshtë, politikës së vjetër që do të mbajë çdo vendimmarrje në dorën e vet”, tha ai.
Basha vuri në dukje se, nuk ka rrugë tjetër për të rifituar besimin e qytetarëve.
“Një nga pyetjet që kam hasur më shpesh kur kemi debatuar këtë temë është: pse duhet tu besojmë politikanëve?! Ftesa ime sot është të mos u besojmë politikanëve! Ftesa ime është të ndalim së besuari pretendimin e besimit te politikanët dhe qytetarët ta marrin besimin në duart e tyre dhe ftesa ime ndaj çdokujt që i dhimbset ky vend, ndaj çdo të riu e çdo të reje është pa vonesë të nisim rrugëtimin për këtë ndryshim thelbësor në demokraci, listat e hapura 100%”, deklaroi ish-kreu i PD.
Basha foli për listat e hapura, vetingun e politikanëve, kufizimin e mandateve për kryeministrin dhe votat e emigrantëve.
“Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve dhe diçka që sot me vendim të Gjykatës Kushtetuese është e detyrueshme, por nuk ka asnjë përpjekje për ta bërë realitet, vota e emigrantëve. Midis 35-42% e bashkatdhetarëve tanë nuk ndodhen fizikisht në Shqipëri. Të gjithë i dimë arsyet se pse. Janë larguar dhe vazhdojnë të largohen në mënyrë masive, por nuk kanë të drejtë të shprehen me votë si qytetarët, vëllezërit tanë në Kosovë apo qytetarët e vendeve të tjera të BE-së. Listat e hapura, vetingu i politikanëve, kufizimi i mandateve, votat e emigrantëve. Kam dhe shumë për të thënë, por mendoj si për nisje kemi mjaftueshëm për të folur, por edhe për çështje të tjera për të cilat jemi mbledhur sot këtu”, u shpreh Basha.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.