SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Do të përgatisim paketën 100-ditëshe për ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë shpalosjes së programit ekonomik të PD për vitet 2025-2029, tha se PD do të punojë për të ulur taksat dhe për të çliruar qytetarët dhe bizneset nga barra e shtetit.

“Ne do të çlirojmë qytetarët shqiptarë dhe bizneset nga barra e tmerrshme e taksave. Nga dora e zezë e shtetit e cila shtrihet në çdo proces dhe në çdo at të veprimtarisë së tyre, që si e si t’i grabisë, t’i plaçkisë dhe t’i shtypë”, tha Berisha.

Berisha akuzoi qeverinë aktuale për rritjen e varfërisë dhe çmimet e larta, dhe theksoi se ekonomia e Shqipërisë po dëmtohet nga korrupsioni dhe oligarkët. Berisha tha se PD do të garantojë lirinë ekonomike, konkurrencën e ndershme dhe një sistem të drejtësisë funksional.

“Shqipëria ka rritje ekonomike, ndërkohë varfëria thellohet, ndërkohë konsumi nuk rritet në paralel me rritjen. Ndërkohë, çmimet shkojnë në stratosferë, rrogat zbresin në raport me to në mënyrë progresive”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha se Shqipëria është në një situatë emergjente dhe do të prezantojë një paketë 100 ditëshe që do të ketë një efekt transformues për qytetarët dhe bizneset.

“Ne do përgatisim paketën 100 ditëshe, e cila do ketë një efekt çlirues, transformues në jetën e të gjithë shqiptarëve në nevojë. Do ketë një efekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, transformues të të gjithë bizneseve, tek të gjithë fermerët”, tha Berisha.

Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së PD, do të nxitet prodhimi dhe zhvillimi ekonomik përmes stimujve fiskalë dhe mbështetjes për fermerët.

Berisha gjithashtu premtoi rritjen e pensioneve dhe luftën kundër informalitetit, duke theksuar se do të trajtohet borxhi që shteti ka ndaj sigurimeve shoqërore.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se do të veprohet me urgjencë për t’i dhënë fund situatës kritike në Shqipëri.

“Lufta kundër informalitetit do fillojë nga shteti. Natyrisht, ne jemi qeveri e vogël. Ne jemi konservatorë, qëndrojmë qeveri e vogel. Shqipëria është në emergjencë dhe ne do i përgjigjemi asaj me emergjencë”, u shpreh Berisha.///

error: