SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Minimumi jetik të jetë 200 euro

 Drejtuesi i grupit të “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, Sali Berisha bëri sot thirrje për vendosjen e minimumit jetik në 200 euro. Gjatë një konference për mediet, me fokus diskutimet për projektligjin e propozuar nga “Rithemelimi” për minimumin jetik, Berisha u shpreh se, “Shqipëria është i vetmi vend që nuk mbron qytetarët e saj përmes vendosjes së minimumit jetik”.

“Avokati i Popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE. Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria”, theksoi Berisha.

Sipas tij, “nga kjo pagesë, përfitojnë mbi 85 përqind e pensionistëve, të cilët janë ndër këtë pagesë, përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë lekë, përfitojnë kategori të tjera dhe duhet të përfitojnë studentët, duhet të përfitojnë të rinjtë”.

“Unë ju garantoj se Shqipëria këto fonde i disponon plotësisht, por kjo kërkon që qeveria të mos vjedhë siç po vjedh qytetarët shqiptarë, të mos abuzojë me taksat dhe pasuritë publike.

Kjo kërkon që Shqipëria të ndërtojë punë publike me të njëjtat çmime që ndërtohen në BE, nuk po them më lirë. Por jo 8 herë më shtrenjtë”, vuri në dukje Berisha.

Kreu i Rithemelimit në PD, shtoi se projektligji i propozuar detyron qeverinë të ndaj një buxhet për fondin e minimumit jetik.

“Ne kemi përgatitur ligjin dhe ligji e detyron çdo qeveri që në buxhetin e shtetit, çdo vit të përcaktojë fondin e minimumit jetik. Ligji është në parlament, por ne do bëjmë çmos që ta votojmë sa më shpejt”, tha Berisha.///

error: