SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Nisim betejën e fitores për Shqipërinë Madhështore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në hapje të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit nga sheshi “Nënë Tereza” në kryeqytet, u shpreh se “sonte nisim betejën e fitores, betejën e Shqipërisë Madhështore, në të cilën Shqipëria ngrihet përsëri”.

Berisha u shpreh se “sot mblidhemi me një betim solem para Shqipërisë për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi”.

“Këto vite, 12 vite ishin për Shqipërinë vite të shkretimit të saj nga bijtë dhe bijat, ishin vitet e varfërimit të saj, ishin vite në të cilat regjimi i Tiranës dhe mafia ndërkombëtare bëri gjithçka që të fshijë nga kujtesa e këtij kombi veprën tuaj të pavdekshme, Shqipërinë pluraliste”, theksoi ai.

Sipas tij, “në këto 12 vite janë fshirë nga historia e këtij kombi arritjet madhore në fushën e lirisë”.

“Ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë. Me një betim solemn para saj për ta nxjerrë ata nga kthetrat e këtij regjimi. Për ta rikthyer atë, për të rikthyer tek ajo projektin e ëndrrave të të rinjve të saj, djemve dhe vajzave, ëndrrave më të bukura”, theksoi ai.

Berisha më tej shtoi se “sot, një në dy familje nuk ka një fëmijë në vatrën e vet, por e ka në rrugët e botës. Sot 700 mijë pensionistë qajnë pothuajse çdo ditë me lot të ftohtë mjerimi. Sot mijëra e mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçet dhe mbështeten në mëshirën e sëmundjes në shtratin e spitaleve tona. Sot, qindra-mijëra familje shqiptare nuk marrin drejtësi. Sot qindra-mijëra biznese falimentojnë njëra pas tjetrës, qindra-mijëra vende pune shkatërrohen nga narkoeurot e trafikantëve të Edi Ramës. Sot sirenat për të ndryshuar Shqipërinë bien në të katër anët e dheut. Sot Shqipëria pret me padurim ndryshimin, projektin më të bukur që ka njohur në histori, projektin e Shqipërisë Madhështore”.

Berisha tha se PD është parti që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, në NATO dhe nxori Shqipërinë nga terri dhe errësira.

“Është partia që çau malet dhe bashkoi kombin me Rrugën e Kombit. Është partia që dyfishoi rrogat dhe pensionet dhe e nxori Shqipërinë nga humnera e varfërisë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Kjo parti është partia që liberalizoi vizat e shqiptarëve, suksesin e tyre të jetës, i nxori nga izolimi evropian. Kjo parti është partia e projekteve më të mëdha, më të mëdha në historinë e Shqipërisë, por edhe në rajon edhe më gjerë, si TAP dhe kaskada e Devollit”, u shpreh Berisha.

Më tej, kreu i PD tha se “kjo parti ka paraqitur një program në të cilin jo më vetëm vepra të caktuara, por Shqipëria e tërë do të jetë madhështore”.(Mela MARINI).///

error: