Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “ky fundviti shënon mbylljen e një dekade që qeverisemi nga rilindja, një dekade nga më të zezat në historinë e Shqipërisë. Një dekadë në të cilën humbëm votën e lirë, kombi humbi shpresën dhe një të tretën e gjakut të tij”.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, Berisha tha se “sot, kombi ynë është një komb shpresëhumbur, një komb që vajton të rinjtë që nuk gjejnë të ardhmen në këtë vend, një komb që rënkon sepse trupi i tij është kapluar nga metastazat e krimit, një komb që dergjet pasi është kombi më i plaçkitur ndër të gjitha kombet në Europë”.
“Pronat private nuk grabiten më nga komunistët, por nga të ashtuquajturit investitorët strategjikë. Shqiptarët vijojnë të persekutohen jo më nga policia sekrete hoxhiste, por nga bandat e qeverisë dhe patronazhistët, nga organizatat kriminale në institucionet e narkoshtetit. Nuk kemi më gjykata popullore, por kemi SKAP-in dhe gjykatat e partisë, grupet e strukturuara kriminale, brenda të cilave përdoren për t’i dhënë grushte armiqve në opozitë”, nënvizoi Berisha.
Sipas tij të drejtat kushtetuese të opozitës mohohen dhe një plagë e vjetër u rihap sërish, u rikthyen burgosjet politike të opozitës.
Berisha vuri në dukje se “nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Edi Ramën, që mu propozua nga kryekëshilltarët e Lulzim Bashës, unë u dizenjova non-grata dhe sot kam një dhëndërr të burgosur politik. Dhe tani çfarë i mbeti Edi Ramës? Tregoi më në fund në sytë e të gjithë botës se kush është në të vërtetë. Vendosi t’i bëjë parlamentit një grusht shteti brenda shtetit. Por ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin. Grupi ynë parlamentar, dhe i përshëndes deputetët kudo që janë, në këtë sallë dhe kudo që ndodhen, me mosbindje civile, e zhyti në ilegalitet parlamentin e krimit, parlamentin e diktaturës, parlamentin e narkoshtetit”.
“Me votë ai nuk ikën sepse votën e lirë nuk e lejon, sepse po la pushtetin ai përballet me përgjegjësinë e krimeve të tij të tmerrshme që u ka bërë shqiptarëve këtë dekadë.
Çfarë mbetet për të bërë në këto rrethana? Përgjigjen për këtë e kemi demonstruar në parlament, aksion pa kthim, mosbindje civile, aksion pa kthim gjer në fitore”.
Berisha theksoi se “ne në parlament po mbrojmë të drejtat tona kushtetuese, dhe të drejtat e 600 mijë qytetarëve që kanë votuar kundër qeverisë. Por sot çdo shqiptar ka të drejta të shkelura, është i grabitur nga qeveria është i agresuar nga shteti, prandaj përgjigja e çdo kujt duhet të jetë, aksion pa kthim me mosbindje civile”.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.