SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha paralajmëron protesta të fuqishme

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference sot me gazetarët, paralajmëroi protesta kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen dhe t’i japin fund atë që ai e cilësoi si “regjim hajdutësh”.

Berisha theksoi se këto protesta do të jenë të drejtuara për të nxjerrë në pah përgjegjësinë e qeverisë në aferat korruptive, përfshirë inceneratorët, dhe se çdo energji do të fokusohet në goditjen e qeverisë së Ramës.

“Rruga e vetme është të ngrihemi, t’i japim duart këtij regjimi që nuk ka Kushtetutë, nuk ka kod, nuk ka moral, por që vjedh në mënyrë të tmerrshme paratë e taksave tuaja.

“Ju garantoj se protesta shumë të fuqishme do të organizohen. Kështu që ne do organizojmë protesta dhe shumë të fuqishme dhe hajdutit më të madh të shqiptarëve, qytetarët nuk do i ndahen kurrë gjersa t’i japin vendin që meriton”, tha Berisha.

Gjatë konferencës, Berisha u pyet sërish në lidhje me bashkëpunimin me ekipin e konsulentit amerikan Chris LaCivita për fushatën zgjedhore të 11 majit. Berisha tha se ky ekip nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare është vendosur në Shqipëri. Sipas Berishës, pagesa për ekipin amerikan ka qenë shumë më e ulët se shifrat e publikuara nga qeveria.

“Ekipi i LaCivita, pa diskutim ekipi më serioz i botës, me eksperiencën më të jashtëzakonshme. Por, dhe bëri më të mirën e mundshme. Dhanë një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar. Organizuan një fushatë që shqiptarët nuk e kishin parë kurrë më parë. Por ekipi i tyre nuk ishte përgjegjës për diktaturën autoritare të vendosur në Shqipëri”, tha Berisha.

Kreu i PD-së njoftoi gjithashtu edhe pranimin e dorëheqjes së Bujar Leskajt nga pozicioni i drejtuesit politik të qarkut të Vlorës, duke theksuar se Leskaj do të vazhdojë të kontribuojë në PD, por jo në këtë rol drejtues.

“Bujar Leskaj ka ardhur dhe më ka dhënë dorëheqjen si drejtues qarku. Nuk kam ndonjë koment tjetër gjersa ai e ka bërë publike dhe unë e vlerësoj dorëheqjen e tij dhe kaq mund të them. Ai do të japë kontributin në PD, natyrisht jo si drejtues qarku”, tha Berisha.

Në përmbyllje të konferencës me gazetarët, Berisha mbajti një minutë heshtje për ish-zëvendëspresidentin e SHBA, Dick Cheney, duke e përshkruar atë si mik të shqiptarëve dhe një mbështetës të pavarësisë së Kosovës.(Marseda QEFALIA).///

error: