SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: PD, asnjë lloj bashkëpunimi me mazhorancën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një konferencë për shtyp ku sqaroi qëndrimin e kësaj force politike ndaj mazhorancës, pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Berisha tha se, asnjë shqyrtim nuk do të ketë për asnjë kandidat me mazhorancën.

“Partia Demokratike nuk do të ketë për asnjë kandidat dhe nuk ka më asnjë lloj bashkëpunimi me mazhorancën”, tha Berisha.

“Kjo është përgjigjja ime dhe ky është absolutisht vullneti i anëtarëve të PD-së. Ne nisim betejën tonë, si rrugën e vetme për të patur një qeveri teknike dhe rikthyer votën”, shtoi Berisha.

Gjatë konferencës Berisha deklaroi se, përmes “Paketës së Maleve” 20 zona dhe sipërfaqe bregdetare janë shpallur si ‘male’.

Ai denoncoi vendimet që sipas tij shndërrojnë zonat malore në të papërshtatshme për këtë qëllim.

“Do të shihni këtu se si Edi Rama me këtë vendim ka transformuar paketën që ai miratoi për zonat malore”, tha Berisha, duke paraqitur listën e 20 zonave të shpallura si malore, ku lartësia e tyre shkon nga 10 deri në 100 metra mbi nivelin e detit.

Berisha komentoi gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

“Vendimi i dalë nga zyrat e Edi Ramës, dhe i firmosur nga gjykatës të papërgjegjshëm, mbyll çdo shteg, çdo rrugë, çdo mundësi për luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen me ligj të pasurive publike dhe të taksave të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Berisha rikujtoi se në vitin 2012 kishte iniciuar amendamentin me të cilin hiqej imuniteti për efekt të hetimit të korrupsionit.

“Në vitin 2012, kam qenë personalisht iniciatori i amendamentit me të cilin hiqej për efekte të hetimit të korrupsionit, çdo lloj kufizimi kushtetues për prokurorinë”, u shpreh Berisha.

Ai kritikoi edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

“Edi Rama zgjodhi avokat njeriun e tij. Njeriun që hynte e dilte, bënte pazare në zyrën e tij dhe kjo është e padiskutueshme. Edi Rama zgjodhi avokat njeriun për të cilin firmat ishin dhënë për të qenë në listë dhe kjo ishte një gabim. Por kurrë për të qenë Avokati i Popullit”, tha Berisha.

Në këtë situatë, shtoi Berisha, “shpresa e vetme, rruga e vetme është që qytetarët shqiptarë të marrin në dorë fatin e tyre, votën e tyre, të ardhmen e tyre”.

“Kjo ka vetëm një rrugë, protestën, protestën dhe vetëm protestën. 22 dhjetori është një ditë në të cilën çdo shqiptar, pa dallim nga bindjet partiake, mund të dëshmojë guximin dhe vendosmërinë e tij”, tha Berisha.

Berisha përshëndeti gjithashtu iniciativën e kryetarit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. “Ai zotëri ka vendosur të bëjë maksimumin e asaj që mund të bëjë dhe po e bën”.(Gjergji MIMA).///

error: