SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Protesta çdo javë, sot nuk synuam masivitetin

 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi protestën e sotme përpara Kryeministrisë si nisjen e një faze të re të aksionit opozitar.

Në një intervistë televizive, Berisha theksoi se, kjo formë proteste synon të shndërrohet në një “foltore qytetare dhe parlamentare”, e cila do të zhvillohet çdo javë deri në ndryshimin e pushtetit.

Sipas Berishës, protesta e inaugurimit nuk kishte qëllim masivitetin, por hapjen e një cikli të ri rezistence.

“Të inaugurojmë protestën si një mjet, së pari si një mjet komunikimi dhe revolte ndaj këtij regjimi. Së dyti, të ndërgjegjësojmë shqiptarët se në përballjen me këtë regjim, rruga e vetme është protesta.”

Kreu i PD u shpreh se, opozita ka vonuar fillimin e protestave për arsye objektive, duke pritur raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR.

Sipas tij, ky dokument voluminoz “e fakton përfundimisht se mazhoranca aktuale nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por një proces të manipuluar me qëllim sigurimin e mandatit të katërt për Edi Ramën”.

“Kjo protestë është e vonuar”, theksoi Berisha, por shtoi ai, “u vonua për disa arsye, sepse në fakt kjo protestë duhej të fillonte shumë më parë.

Berisha nënvizoi se, “pas raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR, dëshmohet përfundimisht se kjo qeveri apo kjo e quajtur mazhorancë, nuk shpreh vullnetin e qytetarëve shqiptarë, por është e bazuar mbi një farsë të shëmtuar elektorale, një farsë e cila mblodhi shumë aspekte, shumë faktorë, shumë procese, me qëllimin e vetëm që Edi Rama të kishte mandatin e katërt”.

Kjo, sipas Berishës, “është e dokumentuar në mënyrë përfundimtare në një raport prej rreth 1500 faqesh me mijëra prova, fakte e dokumenta”.

“Tani, në qoftë se në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhjet u vodhën, absolutisht u rrëmbyen, por nuk u mbrojtën dhe nuk u damkosën siç e meritonin, në këto zgjedhje opozita bëri të jashtëzakonshmen, mbrojti votën në kuptimin ligjor të saj dhe tani ka të drejtën kushtetuese, të drejtën ligjore, kombëtare e ndërkombëtare të përballet me këtë regjim për mbrojtjen e votës së lirë”, tha Berisha.

I pyetur për skenarët e mëtejshëm, Berisha tha se, protesta e kësaj të hëne është vetëm fillimi.

Ai paralajmëroi se në javët në vijim opozita do të zhvillojë protesta të mëdha dhe të pandërprera.

“Kjo protestë ndërpritet vetëm kur Edi Rama të largohet nga pushteti. Kjo tip proteste do të jetë një foltore parlamentare, qytetare, ku meqenëse deputetët nuk u lejuan të flasin në Parlament, do të vijnë të flasin përpara Kryeministrisë dhe qytetarëve, do të flasin dhe qytetarët, ndërkohë do të vazhdohet me përgatitjen e protestave të mëdha, protestave të qëndrueshme”, tha Berisha.

Pra, shtoi ai, “çdo demokrate dhe demokrat do të jetë i përgatitur, se kemi ardhur në stinën, në kuptimin figurativ, të protestave të pandërprera, të vazhdueshme, gjer në përmbysjen e regjimit”, tha Berisha.

Berisha kritikoi ata që fajësojnë opozitën për rezultatin elektoral, duke thënë se po dalin “kundër vetes së tyre”, pasi sipas tij nuk ka opozitë që mund të fitojë përballë “farsave elektorale”.

“Ata të cilët, në një mënyrë ose në një tjetër, gjejnë shkaqe tek opozita për të mos protestuar, unë u them që ata po ngrihen kundër vetes së tyre, sepse nuk ka opozitë që mund të fitojë farsat elektorale. Përkundrazi, sa herë të zhvillohet, fitohet edhe më thellë nga ata që e zhvillojnë. Ata që mendojnë ndryshe, gënjejnë veten”, theksoi Berisha.(Gjergji MIMA).///

error: