SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Qeveria ka zero legjitimitet, PD beson në pushtetin me votën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot turin e radhës të “Foltores” me demokratët në qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij Berisha u ndal tek situata brenda partisë si dhe përballja me qeverinë. Në 35-vjetorin e krijimit të degës së PD-së në Lezhë, Berisha tha se kjo ditë është “një kushtrim i madh të përmbushim misionin tonë”.

Sipas Berishës, qeveria ka zero legjitimitet, ndërsa theksoi se kryeministri Edi Rama “ka grabitur mandate me të gjitha mënyrat”. Berisha bëri thirrje që “mos të bllokohet drejtësia”.

“Një pushtet i paligjshëm nuk tolerohet. Një pushtet i paligjshëm rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, tha Berisha, teksa shtoi se PD “beson në pushtetin me votën e lirë dhe në rrugë paqësore”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita i ka fituar të gjitha betejat “kur ka dalë në shesh me moton “ja vdekje, ja liri””.

“Edhe një herë, ne, mbajeni mend, kemi fituar në të gjitha rastet kur kemi dalë në shesh ja vdekje, ja liri. Kemi fituar në vitet ’90 me këtë moto. Kemi fituar në vitet ’98-99 po me këtë moto, na vranë. Po ne u hodhëm me moton “ja vdekje, ja liri”. Dhe kur ne themi këtë, nuk ka forcë në botë që na mposht. Ndaj dhe ky është misioni. Ky është misioni që na thërret çdo demokrati e demokrateje, çdo shqiptari e shqiptareje. Ne jemi të pamposhtur, ne e kemi faktuar.

Vendi kërkon qeveri legjitime, vendi kërkon qeveri të dalë nga vota e lirë. Vendi kërkon që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të zgjedhin atë që duan”, theksoi kreu i PD.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën që do të mbahet në datën 24 janar.

“Ju garantoj se PD do përmbushë misionin e saj, detyrimin që ka për të garantuar votën e lirë të shqiptarëve dhe fitoren e opozitës. Më 24 janar, Tirana, sheshet dhe rrugët janë të opozitës. Ndaj dhe ju ftoj të derdhemi të gjithë në Tiranë për të treguar vendosmërinë tonë për të larguar me vendosmëri këtë qeveri nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha gjithashtu garantoi se “PD është në një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të ripërtëritjes, të përpunimit të programit dhe strategjisë për të realizuar misionin e saj, përmbysjen e diktaturës së dytë në Shqipëri dhe rikthimin e demokracisë”.(Marseda QEFALIA).///

error: