Deputeti Ditmir Bushati, ka zgjedhur platformën e Facebook për të dhënë deklaratën e tij lidhur me procesin e integrimit të vendit në BE. Bushati thotë se nuk iu dha fjala sot në Kuvend. Ai thekson se zyrtarizimi i negociatave me BE-në varet nga vetëdija dhe vullneti ynë për të përmbushur detyrat e përcaktuara nga vendet anëtare
“Përgjegjshmëri, largpamësi dhe pronësi mbi reformat. Çdo vit në Kuvend paraqitet për shqyrtim raporti i qeverisë për ecurinë e procesit të integrimit europian ku analizohen arritjet dhe sfidat me të cilat përballet vendi.
Përgjithësisht jemi mësuar që të debatojmë mbi mënyrën sesi të tjerët na shohin. Por, ky raport është i rëndësishëm për faktin sesi e shohim ne veten, përballe kritereve që imponon ky proces dhe rrugën që duhet të ndjekim.
Sa herë që ky raport vjen në Kuvend, pavarësisht detyrave dhe funksioneve që kam ushtruar, jam përpjekur të them fjalën time duke e konsideruar analizën vjetore të ecurisë së Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, si momentin më të rëndësishëm politik të vitit.
Shqipëria është Atdheu ynë i përbashkët dhe gjithmonë kam besuar se nuk ka moment më përbashkues politik e shoqëror sesa diskutimi i njëmendtë e jo formal i sfidave reale me të cilat përballet vendi në procesin gjithnjë e më sfidues të integrimit europian.
Për shkak të rëndësisë së këtij procesi dhe investimit tim profesional e politik, duke qenë se nuk mu dha fjala në seancë, po ndaj me ju pikëpamjet e mia, i bindur se asnjë forum apo platformë sociale nuk e zëvendëson rëndësinë dhe peshën e foltores së Kuvendit.
Së pari, vendimi i Bashkimit Europian i 24 Marsit të vitit 2020 për hapjen e negociatave me Shqipërinë konfirmon në thelb vendimin e 26 Qershorit të vitit 2018. Në kulmin e krizës së paprecedentë që po kalon njerëzimi, vendimi i BE-së ka një vlerë politike të pamohueshme, pasi mban “gjallë” procesin e zgjerimit.
Së dyti, Vendet Anëtare të BE-së kanë përcaktuar edhe disa kushte që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Për përmbushjen e kushteve, Komisioni Europian do të raportojë sërish para Vendeve Anëtare. Në të vërtetë, një pjesë e këtyre kushteve që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, funksionimin e gjykatës kushtetuese, gjykatës së lartë dhe funksionimin e strukturave të specializuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk janë të panjohura. Ato, ne i kemi kthyer në “detyra shtëpie” në Rezolutën që miratuam në Kuvend, më 3 Tetor 2019. Duhet t’i rikthehemi pikërisht angazhimeve që kemi ndërmarrë vitin e shkuar, e të adresojmë një orë e më parë të gjitha “detyrat e shtëpisë” që na kanë lënë Vendet Anëtare të BE-së, përmes bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional, duke përfituar nga ekspertiza e çmuar e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Së treti, fillimit të negociatave i paraprin përgatitja nga ana e Komisionit Europian dhe miratimi nga Vendet Anëtare të BE-së të “Kuadrit Negociues”. Ky dokument përcakton parimet, thelbin dhe procedurat mbi të cilat do të zhvillohet procesi. Edhe këtu Vendet Anëtare kanë përcaktuar një katalog me disa detyra, mënyra e adresimit të të cilave nga ana e Shqipërisë duhet të reflektohet në dokumentin e “Kuadrit Negociues”. Këto detyra kërkojnë bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional, ku përgjegjësia e çdo aktori është e qartë.
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
As Balluku nuk e afroi dot kilometrin e fundit
Berisha: Sot Rama shënoi fundin e tij politik, më 22 mars protestë kombëtare