Nga Eva XHAJANKA
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha sot, në lidhje me protestat e fermerëve për çmimin e ulët të qumështit që mblidhet nga pikat e grumbullimit, se “ky është një proces që ka marrë angazhimin e Ministrisë dhe timin personal gjatë 3 muajve të fundit”. Në një intervistë për media, Denaj theksoi se, “unë kam qenë në territor duke folur me të gjithë përfaqësuesit e blegtorëve, por edhe të prodhuesve. Kësaj radhe i vendosëm në një tavolinë të përbashkët të gjithë, pra nuk diskutuam veç e veç si më përpara. Ka nga të dyja palët pretendime në raport me çmimin”.
Ajo theksoi se çmimi nuk është tagër i shtetit apo i Ministrisë së Bujqësisë, por veprim operacional i kërkesë-ofertës që ndodh në treg.
“Ne jemi të vetëdijshëm që si rezultat i shumë arsyeve, nisur nga fakti që fermat tona në të shumtën janë të vogla. Edhe sasia e cilësia e qumështit pavarësisht se është në përmirësim krijon disa ngërçe. Por ngërçi kryesor në raport me qumështin e lopës është ai që vjen nga importi, me një çmim më të ulët sesa ai që prodhohet në vend.”
Sipas ministres, prodhimi vendas është në parametra mjaft të mirë dhe për t’u dhënë fund spekulimeve në lidhje me cilësinë, janë dërguar për analizë në Çeki disa mostra të marra nga të gjithë prodhuesit.
“Dua të garantoj, me analizat që po bëjmë, cilësia e qumështit dhe e prodhimeve blegtorale shqiptare është e mirë. Sigurisht ka nevojë për të përmirësuar disa elemente infrastrukturorë apo investime të tjera që mos të ketë humbje. Problemi kryesor nuk qëndron te cilësia, edhe produkti që vjen nga importi, pavarësisisht se ka më shumë nivel yndyre, është cilësi e standardit evropian. Ne po diskutojmë 2 elementë, a është çmimi i prodhimit vendas që përtej faktit se mund të jetë në konkurrencë me atë të importit, çmim që kënaq punën e blegtorëve dhe në marrëdhënien blegtor-prodhues a duhet të jetë më e fortë që të dy palët të cilët janë të detyruar të bashkëpunojnë për produktin ‘Made in Albania’, të gjejnë një rrugë kompromisi. Nëse sot ka stok në magazinë, kjo nuk duhet të shihet si produkt afatshkurtër i një marrëdhënie afatgjatë”, tha ministrja.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.