Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi sot se inspektimet në fushën e sigurisë ushqimore do të pësojnë një ristrukturim të thellë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjin e ri “Për inspektoratin”, i cili ka hyrë në fuqi më 13 maj 2024.
Në një intervistë në medie, ministrja theksoi se kontrollet në subjekte nuk do të kryhen më në mënyrë të papritur apo të njëanshme, por vetëm mbi bazë risku, duke u mbështetur në të dhëna të verifikueshme në sistem.
“Nuk mund të shkojë asnjë inspektor nëse të dhënat në sistem nuk tregojnë rrezik. Kontrolli duhet të bëhet me paralajmërim, me komunikim dhe me dinjitet. Vetëm nëse nuk merren masa, atëherë vendosen gjoba”, tha Denaj.
Ministrja nënvizoi se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) nuk do të mbyllet menjëherë, por funksionet e saj do të përthithen gradualisht nga Inspektorati Qendror i Ministrisë së Bujqësisë, një strukturë e re që do të integrojë kontrollet për analizat e produktit final në treg, inspektimet veterinare, kontrollin e bimëve dhe sigurinë në sektorin e peshkimit.
“Ne kemi pasur ankesa për sjelljen e inspektorëve dhe jo gjithmonë ka pasur standarde të duhura. Ka ardhur koha për një riorganizim tërësor”, shtoi ajo.
Ministrja Denaj bëri të ditur se është ngritur tashmë një Komision i Posaçëm Vlerësimi, i cili do të analizojë profilin e çdo punonjësi të AKU-së. Komisioni përbëhet nga tre përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.
“Komisioni do të analizojë formimin, performancën, përvojën dhe do të japë rekomandime konkrete mbi riorganizimin e strukturave ekzistuese në frymën e re të Inspektoratit Qendror. Kjo është një reformë në shërbim të sigurisë ushqimore dhe qytetarëve”, theksoi Denaj.
Ajo konfirmoi se deri në fund të vitit 2024 është detyrim ligjor që të përmbyllet procesi i reformimit të inspektimeve në të gjithë territorin, në linjë me praktikat më të mira evropiane dhe me synimin për të rritur besueshmërinë dhe efektivitetin e kontrolleve në sektorin ushqimor.(Arlinda GJONAJ).///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.