Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se drejtori i përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza po kryen shkarkime masive të gazetarëve.
Në një deklaratë për mediet, Zhupa theksoi se, “që nga zgjedhja e paligjshme në krye të RTSH, në emër të Partisë Demokratike, kam denoncuar të gjitha shkeljet ligjore për caktimin me porosi të Alfred Pezës si drejtor i RTSH-së. Qëndrimin e tij si drejtor i paligjshëm, po e shoqëron edhe me vendime të paligjshme për shkarkimin e gazetarëve dhe stafit pa asnjë arsye, vetëm e vetëm për ta kthyer atë në një kazermë që i bindet urdhrave absurde të tij”.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe që përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetarëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen”, tha Zhupa.
“Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, shkruajti në Twitter se këto shkarkime ishin “të alarmuar” për shkarkimet “arbitrare”. Shqetësimi që ka ngritur BIRN, Safe Journalist, shoqatat e gazetarëve, vetë gazetarët e prekur kanë gjithë mbështetjen tonë”, theksoi ajo.
“Klima e krijuar në RTSH me pushimet masive, punësimin e njerëzve që kanë punuar si vartës të Pezës në ‘Alpenews’ apo në ‘Ora’, njerëz me lidhje familjare dhe shoqërore me të, e bëjnë edhe dramatike situatën. Një televizion që mbahet me taksat e shqiptarëve, po kthehet në një televizion privat për qokat e Pezës, duke cenuar gazetarinë edhe profesionalizmin”, shtoi Zhupa.
“Drejtori që merret nga karriget, te skaleta e lajmeve, te festivali dhe te koshat e plehrave, që vendos kamera përgjimi dhe numëron gotat e ujit, nuk është modeli i drejtorit profesionist që i përgjigjet nevojave për ta kthyer RTSH-në në një televizion të shikueshëm”, theksoi deputetja e PD.
Zhupa, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës i bëri thirrje Këshillit Drejtues, si organ që monitorohet nga Kuvendi, të rikthejë ligjshmërinë brenda RTSH, të ndalë shkarkimet e padrejta dhe të hapë garën për drejtor të RTSH-së.
Gjithashtu, vijoi ajo, “i bashkohemi thirrjes së Unionit të Gazetareve që OSBE të monitorojë situatën. Shqipëria po vjen me rënie sa i përket indeksit të lirisë së medias dhe këto ngjarje vetëm e përkeqësojnë situatën dhe tregojnë qartë vullnetin politik për të shkatërruar median dhe për të kontrolluar çdo gjë politikisht”.///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll