SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

E Diel, fillon vaksinimi masiv, ngrihen çadrat në sheshin “Skënderbej”, Manastirliu: Do kryejmë mbi 10 mijë vaksinime në ditë

 E Diel, nis në vendin tonë vaksinimi masiv. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu nga sheshi “Skënderbej” ku po ngrihen çadrat për vaksinimin, tha se ambicia është për të vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë në ditë.

“Jemi duke vijuar punën për të ngritur qendrën e vaksinimit masiv në Tiranë. Pas Arenës Kombëtare ku vijon vaksinimi do të ngremë dhe këtë qendër vaksnimi. Një qendër e cila do të mundësoje kryerjen e një numri të madh të vaksnimeve ditore pikërisht në këto ambiente që po ndërtohen në Sheshin “Skënderbej”. Kemi ambicien për të kryer në të gjithë Shqipërinë mbi 10 mijë vaksinime në ditë. Pra duam që të arrijmë një objektiv 10 mijë, 12 mijë, 15 mijë vaksinime në ditë për të mundësuar një proces me ritme të shpejta të vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke bërë me dije se janë shpërndarë të gjitha dozat e nevojshme të vaksinave në Shqipëri, Manastiliu tha se qytetarët duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes për të bërë planifikimin e vaksinimit.

“Mjeku i familjes do të jetë lajmësi për vendin, datën dhe orën e kryerjes së vaksinës. Mjeku i familjes në bazë të një udhëzimi të përcaktuara nga strukturat e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor do të mundësojë thirrjen e kategorive sipas grupmoshave që kemi vendosur në planin kombëtar të vaksinimit, duke filluar me grupmoshën +85 vjeç dhe +80 vjeç të cilët kemi vendosur t’i kryemë në qendrat e tyre shëndetësore por duke vijuar me grupmoshën +75 vjeç por duke zbritur tek ajo +70 vjeç të cilat do të kryhen në qendrat e vaksinimit të përqendruar”, tha Manastirliu.

Gjithashtu Manastirliu dha detaje se si do të jenë të organizuara çadrat e ngritura në sheshin “Skënderbej” duke thënë: “Kjo qendër që është duke u punuar dhe do të hapet nesër do të mundësojë kryerjen nga 800 deri në 1000 vaksinime në ditë. Planifikohet të kemi 10 poste të vaksinimit, 10 pika të rregjistrimit duke mundësuar kështu një rregjistrim të shpejtë të qytetarëve, një kryerje të shpejtë të anamnezës, më pas vaksinimin dhe më pas vendosjen e posteve të postvaksinimit. Këto çadra do të kenë dhe ambiente ruajtje frigoriferike për vaksinat”.

Ndërkaq në një intervistë televizive, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dha detaje nga procesi i vaksinimit masiv, që pritet të fillojë ditën e nesërme. Në sheshin “Skëndërbej” po ngrihen 2 çadra, me nga 10 postacione, që do të kthehen në qendra vaksinimi, për të përmbushur objektivin për 10 mijë vaksinime në ditë në të gjithë vendin. Ky është qëllimi kryesor, tha Manastirliu, teksa shtoi se sfida është kryerja e deri në 15 mijë vaksinime në ditë që të mund të përfundojë si proces brenda 14 muajve.

“Ne kemi një objektiv, duam që të arrijmë rreth 10 mijë vaksinime në ditë, sfida është deri në 15 mijë që të arrijmë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj. Ky do të jetë një proces, në ditët e para do të jetë shtrirja dhe vendosja e gjithë procedurave tipike të punës. Nesër në sheshin “Skëndërbej”, do të jenë edhe mjekë dhe infermierë të Forcave të Armatosura, në ndihmë të personelit shëndetësorë”, tha Manastiliu.

“Nga nesër nisim një vaksinim masiv, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend, tashmë është bërë distribucioni i të gjitha vaksinave që kanë mbërritur, certifikuar nga ISHP dhe Agjensia e Barnave, dhe janë shpërndarë, ndërkohë që në Tiranë, vaksinimi në Arenën Kombëtare do të vijojë, ndërkohë që në sheshin “Skënderbej” do të bëhen vaksinimet për të moshuarit mbi moshën 75 vjeç, duke vazhduar me moshën 70 e më poshtë.  Ato që janë +80 dhe +85 vjeç do të vijojë vaksinimi në qendrat shëndetësore, por edhe një pjesë e tyre në “Arenën Kombëtare”, ndërsa ato +75 do të marrin dozën në Sheshin “Skëndërbej”. Ata do të thërriten nga mjeku i familjes, do të jetë ai që do ta lajmërojë për vendin, kohën, orën, kështu kemi bërë për të gjithë ata mbi 80 vjeç, që janë vaksinuar mbi 10 mijë të moshuar, që janë lajmëruar nga mjeku i familjes dhe kështu do të ndodh edhe për ato që janë në sheshin “Skëndërbej” apo edhe qendrat e tjera kudo në vend”, tha ministrja.

Për ata që nuk kanë një mjek të familjes, duhet të klikojnë në portalin e-Albania që të shmangen grumbullimet.

Me ecurinë e këtij procesi pritet që të ketë një lehtësim të masave në sezonin veror, ku siç ka njoftuar më herët kryeministri Edi Rama, synohet që deri në qershor të kenë marrë vaksinën antikovid 500 mijë qytetarë. /

error: