SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Edhe njëherë për prezumimin e pafajësisë

Nga Niazi JAHO

Në një shkrim të botuar para disa muajsh, e kam trajtuar rëndësinë që ka zbatimi i parimit të prezumimit të pafajësisë.

Formulimi i nenit 30 të Kushtetutës është i qartë jo vetëm për prokurorët dhe gjyqtarët por edhe për shumë të tjerë. Në të thuhet: “Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.”

Përse atëhere ky parim cenohet dhe bëhet objekt shqyrtimi deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut? Arsyet janë nga më të ndryshmet por në këtë shkrim do të ndalemi shkurt vetëm në disa prej tyre.

Përse i rikthehem këtij problemi? Sepse mendoj se ka paqartësi për shkak të mos njohjes, sepse ka mendime dhe interpretime të ndryshme. Në vështrim të lirisë së shprehjes (neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut) kjo është normale. Mendimi ndryshe duhet respektuar edhe nëse nuk pajtohesh me të. Argumenti është i nevojshëm në debatin e shëndoshë dhe në shërbim të publikut të gjerë.

Mosrespektimi dhe moszbatimi në praktikë i parimit të prezumimit të pafajësisë mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme. Prandaj, kërkohet që hetimi dhe gjykimi i çështjeve penale të jetë i plotë, i gjithanshëm dhe objektiv.

Gjykata, në zbatim të prezumimit të pafajësisë “jep vendim fajësie kur i pandehuri rezulton fjator për faktin penal që i atribohet përtej çdo dyshimi” (neni 4 i Kodit të Procedurës Penale)

Që prokurorët dhe gjyqtarët të zbatojnë parimin e mësipërm që është element përbërës i procesit të rregullt ligjor (neni 6 i KEDNJ) do të duhej që realisht të ishin të pavarur, të paanshëm, profesionalisht të përgatitur, të papërlyer dhe me integritet.

Gjykata ka mision të një rëndësie të veçantë. Është ajo që vlerëson masat e sigurimit të propozuara nga prokurori, që vlerëson materialin hetimor (faktet, provat, thëniet e dëshmitarëve dhe të pandehurve, ekspertimet e ndryshme, etj). Është ajo që zbaton parimin e barazisë së armëve dhe që përfundimisht vendos fajësinë apo pafajësinë e të pandehurit.

Më ka tërhequr vemendjen, portretizimi që i bën figurës së gjyqtarit ish kryetari i Gjykatës së Lartë të Izraelit Aharon Barok, në librin e tij “Gjyqtari në demokraci”. Ai thotë “Si gjyqtar nuk kam platformë politike. Nuk jam person politik i djathtë apo i majtë, fetar apo laik, i pasur apo i varfër, i aftë apo i paaftë. Të gjithë janë qënie të barabarta para syve të mi. I njoh zinxhirët që më lidhin si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Lartë. E kam theksuar shpesh sundimin e ligjit dhe jo të gjyqtarit. Detyrën time unë e shoh si mision. Sa herë që hyj në sallën e gjyqit, hyj me ndjenjën e thellë se ndërsa unë gjykoj, pres edhe të gjykohem”.

Kur njihesh me këtë portretizim ka arsye të shprehesh se ky përcaktim vështirë të arrihet, është ideal, etj. Sigurisht që ky është një proces i gjatë që ka të bëjë me shumë faktorë, por në fund të fundit për këtë synohet, ky është objektivi.

Me krijimin e Reformës në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë të SPAK-ut u krijuan kushte që të lëkundet dhe të goditet rëndë miti i pandëshkueshmërisë të zyrtarëve të lartë. Kjo veç të tjerave ndodhi sepse prokurorët e këtij organi të specializuar treguan integritet. Pikërisht për këtë arsye opinioni i gjerë shoqëror i mbështet dhe inkurajon ata. E megjithkëtë do të ishte gabim ose nuk do të ishte e rekomandueshme që arritjet të mbivlerësoheshin në dëm të kritikës konstruktive.

Vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut janë orientime detyruese veçanërisht në zbatimin e parimeve dhe të standardeve që kërkohen.///

error: