Nga Keze Kozeta ZYLO
Botoi Gazeta “Dielli O jetë, linda në shkreti!
Sot në 62- vjetorin e e pushkatimit të poetit ushtarak disident, tepelenasit Trifon Xhagjika marr penën nga Nju Jorku me cingërrima të akullta bërë nga çakërdisjet botërore dhe ulem të shkruaj. E pamundur që në fillim si mezhgoranase, fqinj më të afërt me Peshtanin të mos më vinë imazhet e një natyre panoramike të Peshtanit, familjet e mrekullueshme ku u lind dhe u rrit poeti disident Trifon Xhagjika. Si një hymn shkrihen zërat e mezhgoranasve dhe të Peshtanit me këngën aq të kënduar nga bilbilenjtë e këtyre dy vendeve me histori dhe një kulturë të lashtë të miqësisë së pandarë me njeri-tjetrin. Jehona e kësaj kënge për dy fshatrat malore si Mezhgorani që ka Trebeshinën perballë i ka kaluar kufijtë përtej oqeanit nëpër dallgët e shpirtrave tona si emigrantë duke vazhduar ta këndojmë si: “Në Jugun e Shqipërisë/ Se ç’ janë dy malësi/ Trebeshina me Golikun/ Që të dy janë për karshi./ Përmes tyre shkon një lumë/ Lumi Vjosa është ai/ Përmbi Vjosë një fshat i bukur/ Peshtani, shokë Peshtani!


Nuk e di si do ta këndonte Poeti Trifon Xhagjika si biri i Peshtanit këtë këngë domethënëse! Por e sigurtë se shpirti i tij i trazuar nga rrebeshet dhe tufanet e kohës së diktaturës kishte krijuar portretin e rebelit, të disidentit, të poetit që me penën e tij tronditi dhe vazhdon të trondit shqiptarët këndonjës të së vërtetës… I sjellë këto dy fshatra kaq afër me njeri tjetrin ngase emrin e tij, vëllain doktor dhe familjen e nderuar kujtoheshin brenda mureve të gurta herë pas here dhimbshëm dhe heshturazi nëpër familjet tona. Kujtohej dhe fjala e Dr.Yllit, vëllait të tij, i cili kur pa që vëllait i hodhën prangat në sallën e gjyqit thirri: “Mbaje kokën lart vëlla”! Fshati ka përqindjen më të lartë ortodokse, por gjithmonë në harmoni me bashkëfshatarët e tyre dhe fshatrat përrreth myslimane.
Trifon Xhagjika ishte pinjoll i derës së madhe të Xhagjikajve. Xhaxhai i tij Koço Xhagjika ishte mësues i parë i gjuhës shqipe dhe më 1947 u burgos për 15 vjet. Vëllai i tij
Dr. Ylli Xhagjika, u burgos dhe u internua për 27 vjet rresht. Vazhdoi persekucioni dhe me internimin e motrës se tij Santa. Vëllai tjeter Anastasi, inxhinier elektrik, u pushua nga puna.
Ai shërbeu në ushtri pas shkollimit të lartë dhe si sot në një ditë dimri të egër, më 23 dhjetor, 1963 u arrestua bashke me një grup të rinjsh dhe u dënuan me pushkatim. Poezia “Atdheu lakuriq” është drithëruese: “Nuk mundem,nuk mundem/ E pashë Atdheun lakuriq/ vetëm pa miq e shokë/. Mundohej të këpusë një degë dafinë/ nga lavdia e shekujve./ Atdheun e dija të uritur! Por sa i vogël qenka!/ As një degë nuk e këpuste dot”.
Poeti u vra nga skuadra pushkatare nën terrin e diktaturës, nën drithërima të çdo qenie të gjallë që dëgjonte krismat që derdhnin gjak të kuq njeriu, gjak të pastër arbëror. Dhe kjo tragjedi të kujton shkrimtarin e madh botëror Shekspirin që shkruajti sa vepra dramatike që u luajtën dhe do të vazhdojnë të luhen në skenë sa të jetë njerëzimi.
Ai u vra me thirrmën e shpirtit duke ju thënë pushkatarëve në fjalën e fundit si: “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Dhe kjo dëshirë që e çoi në egërsinë e pashoqe sistemin pushkatues të kujton Prometeun që është një martirizim heroik, simboli i përpjekjeve për njerëzimin ku në momente të caktuara ka dhe ndjesi prekëse si: “Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, as vetë nuk di kur mua më dhemb më shumë”…
Por jo poeti disident tepelenas e di mirë ku ishin plagët e Atdheut, plagët që i kishte si Krishti në trup ndaj dhe gjuan me vargun brilant demaskues, të thiktë mbi zemrat e republikës që e kishin bërë popullin vetëm të vuante, të vuante skajshëm. Vepra e poetit Xhagjika dhe pse u mbulua nga koha e diktaturës, varri i tij ende nuk është gjetur, përsëri ai do të lexohet dhe lexuesit do të gjejnë frymëzimin brez pas brezi. Trifon Xhagjika është poeti që si ç thotë korifeu i letrave shqipe Faik Konica për Prometeun se: “Se natyra e njeriut nuk ndërron, por një poet i madh që zbulon të vërtetat e kohës së vet, zbulon të vertetat e gjithe kohërave të pastajme.
Plagë të pashëruara ende…
Dhe mjerisht koha e Trifon Xhagjikes vazhdon, në forma dhe përmbajtje të ndryshme, varfëria e pamëshirshme në qindra e mijëra shqiptarë, analfabetizmi i ulur këmbëkryq, prostitucioni i vajzave nën dhunën e tutorëve, prostitucioni politik, korrupsioni dhe gllabërimi i pasurive nga gropat thithëse të shpirtrave të kriminelëve krijojnë një imazh rrënqethës në sytë tanë.
Këto tragjedi duhet të lindnin një Shekspir të kohës, por fatkeqësisht nuk u lind.
Shekspirët e kohës shqiptare janë poetët që dhanë jetën për Liri si Havzi Nela poeti tjetër disident që u var në mes të qytetit të Kukësit nga diktatura. Ai ëndërronte lirinë duke shkruajtur si: “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,/Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera/ Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,/Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë/”.
Poezitë e Xhagjikës janë si Pegasi flutures dhe shpërndahen ne çdo zemër njerëzore shqiptare, ato janë dhe si ecja e nje kali të hazdisur për t’i treguar botës mbarë se Shqipëria kishte rënë nën diktaturë, ndaj ai shkruan: “Miq! Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar? Jam unë”!
Këto poezi janë të mbushura me metafora që kane patosin e luftës për Liri, godasin pa mëshirë obskurantizmin dhe diktaturën.
Poeti martir pranon më mirë të vuajë se sa të jetojë pa Liri, ai sfidon pa frikë sahanlëpirësit e sistemit. Ai punoi në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në sektorin e botimeve si dhe më vonë në gazetën “Luftëtari”. Trifon Xhagjika botoi në shtypin letrar si në gazetën “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Verbëria e mbjellë ndër popull u kishte veshur me dyll bebëzen e syrit dhe e pamundur ta hiqnin cipën e trashë të mjegullës ndër sy ndaj ai me indinjatë të thellë shkruan tek poezia “Kënga e verbër” si: “E shkreta ti, o Republikë/ u blatohesh të zotërve/ pa e ditur ç’janë/ Dritën ta shuajnë në terr/ e ditën ta ndezin/ bukën ta shtrojnë në sofër/ e duart t’i presin/ në burim të çojnë/ e gojën ta mbyllin/. Ata të kthyen në metelikë!
Pena e tij shkëlqen dhe zbardh si bora në malin e Golikut për të vërtetën gënjeshtare të drejtimit udhëheqës, të tiranisë së pabesë që shtypi dhe shfrytëzoi popullin gjer në asht. Epitetet që i vë Republikës si e pabesë, e shëmtuar, mashtruese janë një thirrmë e shpirtit të tij të vrarë, janë demaskim i shthurrjes dhe korrupsionit të udhëheqësve që shtypnin pamëshirë disidentët dhe elitën intelektuale të Kombit. Ndaj ai i fton ta lexojnë dhe të shkojnë pas Poetit për të vërteten që gjëmon sa tunden malet e Shëndellisë, Trebeshinës dhe Golikut që jane aty rreth shtëpisë së tij si: “Veç me mua ejani/ t’ju rrëfejë të vërtetën që ndrit./ Të dinë udhëheqësit lart dhe e larta Republikë/ se nuk jemi as të verbër/ as të shurdhër në politikë./ O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ po ç’më dhe?/ Dhe diellin do të ma zësh…/ Turp, Atdhe!/ Tek ty jam/ i lirë pa Liri”…
Poeti kishte qenë në “Shkollën Normale të Elbasanit”, si dhe më vonë për gazetari, por edukatën e lartë, dashurinë për dijen ishin ngjizur nga familja e tij plot kulturë e mirësi në vendlindjen e tij në Peshtan. Më vonë në moshën 8 vjeçare familja e tij u detyrua të jetonte në Tiranë, për shkak të djegjes së shtepisë së tij nga lufta italo-greke më 1941.
Trifon Xhagjika është autori i poezisë që është bërë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve nëpërmjet kompozimit të Kostandin Trakos, qysh në vitet 60-të. Breza të tërë oficerësh e kanë duartrokitur atë për vite me radhë, ndërkohë që vjershëtori i saj nuk jetonte.
sipas Wikipedias rreth poetit Xhagjika.
Doemos që ke dhimbje dhe të ndizet një revoltë në shpirt që poezitë e poetit disident të pushkatuar nga diktatura janë tejet aktuale dhe sot, plot pas 63 vjetësh të vdekjes së tij, poetit që akoma nuk i dihet varri. Çfarë trishtimi dhe mallkimi që ende vazhdon midis nesh për jetën ashtu si tek poezia “Apologjia ime” ku midis te tjerash shkruan:
“…Marrëzi, dhe mëkate për jetën e tërbuar/ se kur më ndal, o gjeneratë, që vuan rrugës ndonjë natë, më merr për të dënuar dhe, me një zë që vret, ngahera më pyet: -Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti! 1962.
Fakt është që populli vazhdon sindromën e Stokholmit, si në historinë në gusht të vitit 1973, një tentativë e dështuar për të grabitur bankën “Kreditbanken” në Stokholm të Suedisë. Ajo përfundoi në marrjen peng të katër nëpunësve nga grabitësit e armatosur.
Edhe pse viktimat e këtij akti të rëndomtë terrorist, ndërsa mbaheshin të burgosur në një bodrum të bankës, u lidhën shpirtërisht me kriminelët që i mbanin peng, deri në atë pikë sa të tregonin mirëkuptim për arsyet e këtij akti e më pas, të përpiqeshin të siguronin ndihmë financiare për të paguar mbrojtjen ligjore të ish-xhelatëve të tyre dhe të dilnin në gjyq për të dëshmuar në favor të kusarëve.
Prandaj kur populli të çlirohet nga adhurimi për udhëheqësit duke u thurrur këngë e poezi dhe nga dashuria e verbër me sy të dyllta, atëhere do të themi me plot gojën: Se nuk linda në shkretinë e shpirtrave që adhurojnë politikanët mashtrues dhe grabitqarë. Kjo syndromë të sjellë aq prane vargjet e Brehtit tek “Marshi i viçave” përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc ku shkruhet: “Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin”.
E kujtojmë sot dhe përgjithmonë poetin disident Trifon Xhagjika me plot nderim dhe respekt në 62-vjetorin e vdekjes së tij shkaktuar nga skuadra pushkatare me urdhër të udhëqësve të diktaturës komuniste. E nderojmë për veprën që la pas, poetin disident pa varr që pohoi fuqishëm në poezitë e tij se lindi në vendin që drejtohej nga shpirtrat eshkë të tharë duke lenë një popull në mjerim dhe varferi të tejskajshme ashu siç thote poeti disident se:
“O jetë, linda në shkreti”! /23 dhjetor, 2025/ New York///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI