Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho do të japë një koncert më 17 shtator në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Në koncertin e titulluar “Kur ndjenjat marrin zë”, sopranoja Ermonela Jaho do të interpretojë një repertor të zgjedhur.
Në një konferencë për mediet, Jaho tha se “ky është një koncert i veçantë, jam e lumtur që rikthehem për të dhënë eksperiencën time. Sa herë kthehem, është sikur kthehesh në shtëpi dhe sjell diçka nga jeta jote”.
Jaho tha se përveç repertorit që ka zgjedhur, nuk do të mungojnë as surprizat.
“Kemi zgjedhur një program ndryshe duke filluar me Belganton. Është një program tepër sfidues, pjesë që nuk janë luajtur ndonjëherë në TKOB. Është një koncert tepër i veçantë”, thotë Jaho.
Sopranoja Jaho tregoi pse koncertin e titulloi “Kur ndjenjat marrin Zë”.
“Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në çdo notë, ka një buzëqeshje, lot, hidhërim, vuajtje, është shkalla e ndjenjave humane, universal. Artisti ka këtë detyrë të ndaj këto ndjenja me publikun. Unë do të jap gjithçka kam, pas shumë vitesh karrierë unë ngjitem në skenë sikur është hera e parë dhe e fundit. Të jesh artist është sfidë dhe privilegj njëkohësisht”, tha Jaho.
Sipas saj, ky koncert është edhe një shpresë për të rinjtë që duan të ndjekin ëndrrat e tyre.
“Është detyrim për publikun shqiptar, për brezat e rinj, për t’iu dhënë një shpresë, çdo gjë është e arritshme, do shumë punë sakrificë të jashtëzakonshme. Sot kanë mundësi më shumë, por mungon pak pasioni. E kemi detyrim moral ndaj publikut shqiptar”, theksoi Jaho.
Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë”, do të vijë nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, dhe me pjesëmarrjen e korit dhe orkestrës së TKOBAP-së.
Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është një ndër më të suksesshmet dhe më të njohura në botë, me një zë brilant. Me albumin e saj “Anima Rara” ajo ka marrë vlerësime të shumta. Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020.
Ndërkohë që Ermonela fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë.(Klodi SARAÇINI)///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.