Nga Ing.Spiro LASKA
Ooo Jeetoo! Ngjan me ison e zgjatur të këngës labe, e cila fillon me thirroren “o”, vazhdon me një “e” të zgjatur dhe mbaron me pasthirmën “o”, e të gjitha së bashku, formojnë një vijë melodike: luftë dhe dashuri, dhëmbje dhe dramë, si thirrja në këngë “Iso djema”, si pjesë e domosdoshme e vazhdimësisë së këngës, pa të cilën kënga do të zbehej.
Ooo Jeetooo…! është shprehje lapidare, si koncentrim filozofik, e shoqëruar me muzikalitetin e klimës shpirtërore; për vazhdimësinë e jetës. Ajo ka të ndërthurur vuajtjet, brengën, ekzistencën, vazhdimësinë, përjetësinë, mirkuptimin, besnikërinë, tolerancën, thirjen për paqe, e mbi të gjitha kulturën njerëzore.
Ooo Jeetooo…! është si një mbrojtje e karocuar nga dheu dhe varri, është një urim, një premtim dhe një besë e dhënë, e cila thyen ligjin e jetëvdekjes.
Ooo Jeetooo…! Është shprehje opozitë e sinonimeve të tjera me shumicë, si: mbret, sulltan, vezir, pasha, hirësi, ministër, drejtor, shokë, zotëri, të cilat kanë patur jetë relativisht të shkurtër dhe jo përjetësinë dhe fuqinë shprehëse të sajë.
“Ooo Jeetoo!” Shprehje monopol vetëm e Bregdetit, eskluziviteti i së cilës ishte e pa mundur të transportohej në enklava të tjera dhe në popuj të tjerë. Dhe në Bregdet ajo nuk mund të përdorej nga gjithë popullsia. Ajo ishte një fjalë shumë fisnike dhe qibare, ishte një thirrje poetike, që ka gjetur shtratin dhe klimën e saj, e merrte kuptim të plotë vetëm në Bregdet, kur dilte nga buzët dhe goja, nëpërmjet dhëmbjes së shpirtit, të nënave të përvuajtura, me virtute të larta, me eksperiencë njerëzore, me zëmër të madhe. Atyre që u dridhej zëmra dhe shpirti jo vetëm për të vetët, por edhe për të tjerët, duke i konsideruar si bijtë dhe bijat e tyre.
Ooo Jeetoo! Ishte themeli i moralit dhe i virtutit njerëzor të nënave tona, ishte mekanizmi që vepronte në jetën e tyre.
Mirë Jetoo!, Të jesh mirë Jeetoo!, me kujdes Jeetoo!, mbërtheu të mos ftohesh jetoo! do të kesh uri Jeetoo!, të të bëj pak bukë, ta marish me vete Jeetooo!
Në këto fjalë, mpleksej meraku dhe kujdesi, fatkeqësia dhe lumturia, lotët dhe gëzimi, dashuria dhe mikpritja, këshilla dhe urimi, të cilat dilnin nga zëmrat e tyre të pastra, të përvuajtura, ndërsa duart dhe sytë e tyre nuk do të rinin të qeta, ato do të shoqërojin fjalët, duke të parë drejt në sy; për të kuptuar më tepër nga ato që dëgjonte, kurse dora do të përkëdhelte, herë krahun, herë gjoksin, herë flokët. Do të kontrollojin si ishe veshur, ç’farë të mungonte dhe do të lexojin në sy, ç’farë brenge mund të të mundonte. Kur ndeshnin në kundërshtim, ato do të nxirrnin diçka nga futaja, ndonjë kokër arë, fiq të thatë, portokalle; duke ti futur me zorë në xhep. Vetëm atëhere ato do të qetësoheshin, por jo plotësisht, do të të shoqërojin me shikim plot merak deri sa të largoheshe, për të kuptuar në se kishe ndonjë shqetësim. Ato e dijin se e keqja, djallëzorja, janë përherë më të fuqishme se ëngjëllorja. Ç’binte minuti nuk sillte viti.
“Jeta e djalit, e vajzës, e vëllait, është jeta ime. Jeta, e djalit, e vajzës, e vëllait të nënave të tjera, është jeta e tyre. Po të vdes jeta ke vdekur dhe vetë, kanë vdekur dhe nënat e tjera, sepse edhe po të rrosh, jeta s’ka më kuptim, kthehesh në një qënje që merr vetëm frymë, bëhet jetë pa kuptim, pa emocione, pa gëzime. Për ato, gëzimet sado të vogla qofshin kthehen në lot, kurse hidhërimet kthehen në kuje dhe bëhen të pa përballushme. Jeta e tyre është më e shtrënjtë, sepse pa ta, jeta e jonë s’ka më kuptim; dhe jo vetëm jeta ime, por e gjithë brezit tim. A mund të jetoj brezi im, në qoftë se do të pësoj gjë brezi i ri. A ka kuptim më jeta ime pa ta. Do të jetojnë ata, që të jetojmë edhe ne, do të lumturohemi dhe ne me jetën e tyre. Vazhdimësia e jetës ka ligjet e veta, e reja zëvëndëson të vjetrën, e kundërta është katastrof, kataklizmo për ne”.
Fjala Jeetooo…! merr pjesë gjërësisht në proçesin jetësor, në gëzime dhe hidhërime, ajo thuhet jo vetëm për të gjallët, por dhe për të vdekurit. Oo Jeetooo…! qahej djali i vetëm dhe në vdekje të tjera në moshë të re. Për jetën e tij që se gëzoi, për jetët e tjera që i pikëlloi, për jetën e nënave që ua ndërpreu për së gjalli.
Fjala Jeetooo…! nuk përdoret vetëm për bijtë, bijat, vëllezrit, dashamirët, miqtë; por dhe për armiqtë. Në këtë rast fjala Jeetooo merr një intonacion tjetër: pasthirrma shkurtohet, diftogu “ee” dhe “oo” e rrudhë tingullin dhe fjala Jeetooo! shqiptohet në trajtën “Jeto!”. Jeto! tashmë ishte si një kërcënim, për të të kujtuar se jeta jepet vetëm një here, si dhuratë e perëndisë dhe duhej jetuar. Dhëmbët shtrëngohen, buzët rudhosen, vetullat ulen; dhe mirësia, dhëmbshuria, përkujdesi, ja lijin vendin gjithmonë e më tepër një mallkimi. “Jeto”, tingëllonte më tepër si një vendosje ekulibrash, si një kujtes për jetën që duhej jetuar, si një premtim dhe një besë e dhënë për të tashmen dhe për të arthmen, për mirkuptimin, për bashkëjetesën. Ishte një dridhje shpirtërore për të mos kaluar në rezonancë, sepse, në fund të fundit dhe ata bij nënash ishin.
Fjala Jeto! kishte brënda tolerancën, daljen e njeriut jashtë vetes, hapjen e zëmrës ndaj të tjerëve, dëshirën për komunikim, si gjëja më sublime e nënave tona.
Fjala Jeetoo! Megjithëse e ardhur që nga lashtësia, ngelet e njëjtë nga intonacioni dhe fuqia shprehëse. Është ndoshta fjala që nuk ka evoluar dhe i ka rezistuar errozionit të kohës duke ruajtur thellësinë dhe gjërësinë e saj. Ajo shfaqet në të gjitha aspektet e jetës; që në lindje deri në vdekje, që nga dasmat dhe deri tek varrimi, duke mbetur fjalë lapidar, vetëm në buzët, gojën, zëmrën e nënave tona. Një iso e fuqishme statike plot lëvizje të brendëshme…../sarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll