SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

FOKUS: Panajot Zoto, pena e pathyer nga pesha e viteve

Nga Thoma NIKA

6 qershorin, e nje viti me parë, kolegu ynë i mirë, gazetari i rrahur “me vaj e me uthull” në gazetarinë e dy kohëve, Panajot Zoto, e shënoi si vitim jubilar te 80-t.

Të respektosh e nderosh Panajot Zoton, është nder e respekt edhe për penën e tij të shqetësuar e të shtruar, por të panënshtruar. Është vlerësim për vlerat që ai ka dhe jep në çdo marrëdhënie: si koleg, si militues qortues në familjen politike, si një model që duhet ndjekur në familjen biologjike, si një kontributor në urtësinë qytetare që i vjen prej tij Sarandës. Gazetaria është profesioni që di të bëjë dhe që vazhdon ta bëjë prej 50 vjetësh.Pasioni e çoi te profesioni. Ata që punuan bashkë me të në fillimet e tij, thonë se e nisi këtë punë duke bërë pa fund gabime drejtshkrimore. Por asnjeherë nuk gaboi në vëzhgimin e tij mbi fenomene të dukshme e të padukshme.

Tek Panajoti gjen modelin e njeriut vullnetmirë e vullnet-hekurt për të bërë zëdhënësin e opinionit publik. Analizat dhe opinionet e tij në vite, kanë qenë shkas për analiza të thella e korrektime që nuk kanë munguar të vijnë.Akoma më impresionuese është rruga e tij me gazetarinë, po ta kujtosh se pena e tij nuk ka heshtur, edhe kur kostoja e të investiguarit, ka qenë një vendim për dënim me burgun që ka vuajtur në demokraci.Akoma më i vlerësuar bëhet portreti i gazetarit Panajot Zoto, kur e mendon që pena e tij nuk ka pranuar të çlodhet për shkak të moshës, përtej limiteve të pensionimit.

Tani e shohim t’u japë trajtë dhe veshje fakteve e t’u japë trajtë mendimeve e argumentave të artikujve të tij, duke lëvizur mendueshëm gishtat mbi tastierën e kompjuterit. Edhe kjo është tregues i aftësisë për të kapur kohën dhe ritmin e përparimit të teknologjisë. Kompjuteri apo telefoni, janë mjetet më të dashura të tij: i pari i instaluar në atë kënd të tij në shtëpinë modeste dhe i dyti i kthyer në një kompjuter xhepi, falë familjarizimit me teknologjinë, që është një sfidë tjetër e 8 dekadave të moshësIa nisi nga çukitja mbi gërmat e makinës së shkrimit, nga teknika e radhitjes së mijëra faqeve të “Fitores”, duke i marrë një nga një në dorë miliona gërmat, për të bërë titujt dhe fjalitë e dhjetëra qindra artikujve.

Më tej quhej përparim teknologjik, kur ajo që pasoi ishte teknologjia e linotypit. Edhe kjo e mundimshme dhe e paimagjinueshme sot, pasi çdo gërmë derdhej në plumb në dhomëzat me temperaturë 400 gradë të linotypit, derisa u jepej boja e zezë përsipër dhe faqoseshin e bëheshin gazetë, që të lexoheshin, tamam ashtu siç i thonë fjalës: e zeza mbi të bardhë.

Nga ky realitet i djeshëm deri në erën digitale, është një kapërcim epokash. Por Panon nuk e dëgjuam dhe nuk e pamë të thoshte: ikni ju, se nuk ju arrij dot. Jo, kush i është përkushtuar informacionit, nuk mund ta ndajë veten nga teknologjia e informacionit. E ai gjeti vullnet për t’u përditësuar. Fillimisht duke e zënë nata para kompjuterit, apo duke i shkruar për së dyti e për së treti artikuj të tërë, që harronte t’i memorizonte, apo që i zhdukeshin nga lëvizjet e gabuara. Por gjithnjë plot durim, këmbëngulje e pasion, ia ka dalë. Bashëshortja, Netja, gruaja që rrezaton mirësi për këdo, është ana e padukshme, por shumë vendimtare, në ecjen dhe modelin Panajot Zoto.

Ai ka fëmijët e tij biologjikë, dashuritë e tij të mëdha. Por bashkë me fotografitë e fëmijëve, ai na vendos mbi tryezë edhe 4 librat e botuar, që gjithashtu mbajnë autorësinë e tij. Gazetar, publicist e së fundmi edhe romancier. Ditari i “Marsit të trazuar”, “Rrëmbimi”, “Inspektori K” dhe “Të jetosh me lajmin, të sakrifikohesh për të vërtetën”, janë titujt e 4 librave të tij. E blloku i gazetarit, bashkë me përjetimet e pahedhura në bllok, vazhdojnë të konvertohen në faqe librash të tjerë.Ai është minierë e kjo është koha më e mirë për të nxjerrë nga kjo minierë vagona me mineral me vlerë publike.Panajot Zoto është ai emër, i cili është anonçuar e anonçohet deri në ditët e sotme, mëngjeseve, kur në ekranet tona lexohen titujt e faqeve të para të të përditshmeve shqiptare.

Panajot Zoto mbetet një penë e maturuar, e shqetësuar, që mosha i kthehet në eksperiencë dhe eksperienca në siguri profesionale.Ai u ndie i vlerësuar kur ishte i pari ndër kolegë, që mori “Çmimin e Karrierës Timoleo Mërtiri” 3 vite më parë. Punoi e bëri gazetari për vite me radhë, me Timoleon në një zyrë. Dhe me siguri që kujtoi cilësitë profesionale të mjeshtrit, kur mori Medaljonin me emrin e tij.

Panajoti është një prej 100 Ambasadorëve për Paqe që Saranda ka. Ai e ndan jetën midis Sarandës, Delvinës dhe Muzinës. Sarandës i shijon stinët dhe privilegjet që vijnë prej turizmit. I gëzohet ndryshimit, investimeve, i shijon dhe e entuziazmon piktura, gjelbërimi, bukonvilja e njohur me sinonimin “Lule Saranda”. Nga Delvina nuk i ndahet shpirti, pasi atje ka vitet e rinisë. E sa herë shkon, i duket sikur bën zbritje në moshë dhe rritje në vitalitet. Muzina është një tjetër dashuri dhe një tjetër sekret i mbajtjes së trupit në formë. Ngjitet monopatit për tek shtëpia prindërore. E, përveç që zgjuan fëmijërinë e largët, flet me tokën, me pemët, me të mbjellat. Nuk flet si gazetar apo si krijues, por me vegla bujqësore: me shatin, lesën, apo me gërshërën e krasitjes. E pret Panon të kthehet andej i lodhur, por të kundërtën konstaton.

Mund të vazhdonim të tregonim gjatë për Panon tonë. Por, pas gjithçkaje që ke thënë, kujtohesh se diçka e rëndësishme dhe thelbësore ka mbetur pa thënë. Edhe sepse ai vetë vazhdon e do të vazhdojë të plotësojë portretin e tij.Ajo që na mbetet të themi në mbyllje të këtyre radhëve, që vjijnë si tufë urimesh, është: Pano, vazhdo të sfidosh vitet dhe të na japësh modelin tënd. Ne do të ndjeheshim të plotësuar, po të mundnim t’i përafroheshim asaj që ti je.E mbyllim këtë portret me formulimin që vjen edhe në emër të Unionit të Gazetarëve të Sarandës. Në grup, kolegët dhe miqtë gazetarë i urojnë Panos të ketë shendet të mirë, jetë të gjatë e plot vitalitet dhe penë të pathyer nga pesha e viteve./SARANDANEWS.AL///

error: