SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Hapësira për rritjen e investimeve të ndërsjella me Greqinë

 Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në takimin e Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri me rastin e “Ditës së Vasilopitës”,  ku e vuri theksin tek një dinamikë e re e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë përmes nxitjes së projekteve të përbashkëta.

Në fjalën e  tij Begaj theksoi se “ka mundësi për më shumë dhe ka ende hapësira të mëdha për të rritur investimet e ndërsjella”.

Kreu i Shtetit garantoi se “Shqipëria ofron një terren solid për çdo investitor”.

Në këtë aspekt, Begaj renditi lehtësitë që ofron Shqipëria, me theks në ekonominë dinamike, monedhën e qëndrueshme, sektorë të shëndetshëm bankar dhe borxh publik që po menaxhohet me kujdes.

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e kompanive elitare, që operojnë në sektorët më strategjikë të vendit tonë.

Kreu i Shtetit u shpreh se “prania e investitorëve grekë në fusha, si: sistemi bankar, energjia, industria, ndërtimi dhe tregtia, përbën një shtyllë të rëndësishme për qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe dëshmon për besimin e ndërsjellë të ndërtuar ndër vite”.

“Mbështetja e Greqisë mike në procesin tonë të integrimit është dëshmi e një miqësie të sinqertë, e cila po përkthehet në një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë ekonomik. Në fushën e tregtisë, zhvillimet janë inkurajuese. Greqia vijon të mbetet një nga partnerët tanë kryesorë, duke u renditur në radhët e para të shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve. Kemi një rritje të vazhdueshme të eksporteve reciproke, çka tregon se tregjet tona po bëhen gjithnjë e më plotësuese për njëri-tjetrin”, nënvizoi Begaj.

Biznesi grek në Shqipëri u vlerësua nga Presidenti Begaj dhe për angazhimin në dialogun publik dhe në përmirësimin e kuadrit rregullator si një dëshmi e partneritetit të progresit të Shqipërisë.(Klodi SARAÇINI).///

error: