SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Hapet Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik për të lehtësuar qarkullimin gjatë pikut të sezonit

Hapet Bajpasi i Vlorës, aksi i ri panoramik për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë pikut të sezonit.

Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në hapjen e këtij aksi, u shpreh se “është lajm i shumëpritur prej vitesh dhe sot faktikisht ne jemi këtu për të thënë që kush niset për në jug, për të kaluar nga Vlora poshtë në bregdetin e Jonit, ka një mundësi komplet ndryshe nga ç’ka qenë, sepse kalohet me lirshmëri të madhe edhe në një fragment natyre të panjohur më parë të paeksploruar dhe shijuar më parë me një udhëtim panoramik që  e fut në klimën e pushimit çdo pushues, çdo vizitor, çdo turist”.

“Dhe koha është shfrytëzuar në mënyrë shembullore, sepse projekti ishte problematik. Problemet ishin të pafundme: ngecjet, shpronësimet. Tani ja ku jemi. Dhe faktikisht në vjeshtë këtu nuk ka më kantier”, theksoi Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “siç e kishim premtuar sot jemi gati për të hapur Bajpasin e Vlorës. Sigurisht duam të theksojmë që është një hapje provizore pasi vazhdojnë punimet, por megjithatë ne kemi marrë të gjitha masat e sigurisë rrugore. Bajpasi është i kalueshëm nga të gjitha anët në këto momente, pa asnjë lloj bllokimi dhe në të gjitha pikat që i kemi diskutuar me Policinë e Shtetit, prej ditësh tashmë, dhe që i konsiderojmë pika kritike, për shkak të punimeve që vazhdojnë në disa zona janë marrë masat e duhura, siç janë dy hyrjet e Kaninës. Ndërkohë që vazhdon ndërtimi i urës 3, vendosja e semaforëve, për të bërë një menaxhim të trafikut nga të dyja krahët, pa problematika”.

“I gjithë Bajpasi do të monitorohet dhe me radar, siç kemi vendosur me Policinë Rrugore, kështu që shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë, ndërkohë në pikat e kantiereve ku punohet nuk do të ketë asnjë ndalesë, pra puna do të vazhdojë, duke qenë se kemi marrë edhe një premtim nga kompania që ura e tretë, pra ajo që bën bajpasimin e Kaninës do të jetë gati në fund të muajit shtator, duke qenë se na e lejon dhe koha gjatë periudhës së verës”, theksoi Balluku.

“Gjithçka shkon sipas skedulit. Trafiku fillon tani nga ora 7 që të bajpasohet nga hyrja e Vlorës në këtë segment dhe sigurisht i gjithë trafiku që vjen nga jugu dhe që nuk do të jetë e nevojshme të kalojë më në Radhimë apo në Vlorë, do të hyjë menjëherë këtu në rrethrrotullimin e Orikumit”.

Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho tha se, “janë marrë të gjitha masat që siguria rrugore të jetë në maksimumin e mundshëm sa na lejon për kantierin në të cilin ndodhemi”. “Kemi marrë masat që të ecë me ritme mbrojtja e shpateve”, theksoi ai. “Mbarimi i segmentit në pjesën e poshtme të Kaninës, do të thotë që brenda vitit ne kemi mundësi të bëjmë një hapje tërësore të kalimit në një pjesë të mirë të këtij kantieri”, tha Verdho.

Balluku nënvizoi se, “është shumë e rëndësishme që sigurisë rrugore ne i kemi dhënë vëmendjen maksimale këtu. Pra jo vetëm për ta dorëzuar në afatin kohor, pra në nisjen e sezonit, ashtu siç kishim premtuar, por edhe për të qenë totalisht të bindur që të gjitha kërkesat e sigurisë rrugore janë të përmbushura”.

Ministrja Balluku më pas, e pyetur nga Kryeministri Rama se sa është koha e përshkimit të kësaj rruge, u shpreh se, “ne e kemi bërë një provë mbrëmë kryeministër, pra gjatë asaj provës gjenerale që bëmë me Policinë e Shtetit, këtu kemi rreth 30 km. I kemi përshkruar sipas tabelave të vendosura pra disa vende me 60 km/orë, disa vende, aty ku ka semaforë, edhe 30 dhe 40 km/orë dhe nuk shkon më shumë se 20 minuta, nga fillimi deri në fund. Pra ne e kemi përshkuar si të ishte me trafik”.///atsh///

error: