Nis nesër edicioni i parë i Himara International Music Festival, i cili do të vazhdojë deri më 11 gusht në Himarë-fshat, pranë Kishës së Gjithë Shenjtorëve.
Do të jenë gjithsej 5 koncerte unike, ku ndërthuren klasikja, tango e muzika xhaz (jazz).
Pjesëmarrës do të jenë 11 artistë të skenave ndërkombëtare nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Japonia, Sllovenia, Izraeli dhe Kuba.
Ata do të sjellin një format festivali veror, ku çdokush mund të përzgjedhë për të ndjekur e shijuar, muzikën e tij të preferuar.
Koncerti që do të hapë festivalin do të jetë “Paris Hora Zero”, ku do të interpretojnë në violinë e piano, Loanh Mirande e Rea Veizi.
Loanh Mirande është një violiniste franceze e lindur në vitin 1995. Pas një diplome bachelor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit në vitin 2019, ajo vazhdoi studimet me Laurent Korcia në École Normale de Musique në Paris.
Fituese e konkursit ndërkombëtar të festivalit Aragats dhe që nga viti 2016 anëtare e Mannheimer Philharmoniker, Loanh performon rregullisht në muzikë solo dhe muzikë dhome në festivale të ndryshme.
Rea Veizi është një pianiste shqiptare e specializuar në piano, muzikë dhome dhe pedagogji.
Ajo ka interpretuar në shumë koncerte si soliste dhe muzikante dhome në Shqipëri, Spanjë, Francë dhe Itali. Është vlerësuar me çmime të ndryshme në garat kombëtare dhe ndërkombëtare të pianos.
Që nga viti 2013, ajo jeton dhe punon në Paris si pianiste performuese dhe profesoreshë e pianos.
Ndër mbështetësit kryesorë të këtij festivali janë Ministria e Kulturës, bashkia Himarë si dhe Ambasada franceze.///
ME SHUME LAJME
Kulturë. Palofshati në Janjar, një vendbanim mesjetar.
Ndryshimi i orës, të dielën akrepat një orë para
TTW: Nga e panjohur në një super destinacion, historia e suksesit të Shqipërisë