Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në Borsh të bashkisë Himarë i cili mund të kishte pasoja të rënda për jetën.
Policia tha se një person 26-vjeçar kanosi me armë zjarri dy punonjëset në hotelin e tij, por u vu në pranga dhe u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë si dhe një krëhër dhe 8 fishekë.
Mësohet gjithshtu se u procedua penalisht babai i 26-vjeçarit, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj njërës prej punonjëseve, si dhe një shtetas tjetër që fshehu armën pas konfliktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas po kanoste me armë zjarri dy punonjëset e hotelit të tij në Borsh, organizuan menjëherë punën për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe kapjen e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi:
• E. Sh., 26 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”. Ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë zjarri tip pistoletë punonjëset e hotelit të tij, shtetaset A. O., 21 vjeçe dhe R. O., 53 vjeçe, nënë e bijë.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:
• A. Sh., 56 vjeç (babai i autorit), për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetases A. O.;
• P. B., 76 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se pas konfliktit ka fshehur armën e zjarrit tip pistoletë, të përdorur nga shtetasi E. Sh.
Arma u gjet dhe u sekuestrua së bashku me krëherin dhe 8 fishekët, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në njërën prej dhomave të hotelit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme./sarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës
48-vjeçari shqiptar arratiset nga burgu Koridhalos në Athinë