Sot shënohet 115-vjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës, shenjtores shqiptare të njohur botërisht.
“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4.500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe.
Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.
Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.
Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse. /Kosovapress///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI