Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot në një deklaratë për mediet se raporti i misionit të UNESCO-s në lidhje me parkun e Butrintit mbahet i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese dhe i kërkohet UNESCO që mos ta publikojë këtë raport. Zhupa tha se prej një viti kërkesë për koncesionin e Butrintit ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, dhe në kuadër të procesit, grupi i deputetëve të PD ka kërkuar të merret edhe qëndrimi i UNESCO, duke qenë se Butrinti është pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO.
Sipas saj, drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Pasurive Botërore të UNESCO-s,Lazare Eloundou Assomo konfirmon që raporti i misionit të tetorit 2022 i është dërguar qeverisë shqiptare, konkretisht Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
“Raporti mbahet i fshehtë nga Gjykata Kushtetuese dhe i kërkohet UNESCO që mos ta publikojë këtë raport. Përfaqësuesi i qeverisë në gjykatë ka dhënë dëshmi të rreme dhe ka fabrikuar prova sikur ky raport nuk ekzistonte”, u shpreh Zhupa. “Sigurisht që situata tregon qartësisht që kemi të bëjmë me një raport që nuk i shkon për shtat qeverisë dhe koncesionarit AADF. Ndryshe nuk do e fshinin nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk do i kërkonin UNESCO mospublikimin e këtij raporti”, vuri në dukje ajo.
“Ne jemi në pritje të hapave dhe vendimeve që do të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese, duke shpresuar që do t’i përgjigjet kushtetutshmërisë, drejtësisë dhe interesit kombëtar. Gjykata duhet ta marrë raportin dhe ne palët në proces të njihemi dhe të shprehemi për të. Butrinti është pasuri UNESCO dhe pasuri e Shqipërisë dhe e tillë duhet dhe do të mbetet me çdo kusht”, tha Zhupa.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.