SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Incidenti me gazetarët, Çuçi: Efektivi i policisë u largua nga detyra

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi reagoi sot lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë me gazetaren Anila Hoxha, duke theksuar se “efektivi i policisë është larguar nga detyra”. Çuçi thekson se “drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtori i SHÇBA kanë komunikuar menjëherë me gazetaren, si dhe në bazë të kallëzimit të saj efektivi do të ndiqet penalisht”.

I kërkoj ndjesë dhe e falënderoj gazetaren Hoxha, si dhe iu bëj thirrje gjithë qytetarëve që ndeshen me efektivë të tillë policie të mos heshtin, por t’i denoncojnë. I garantoj se toleranca për këto shfaqje të shëmtuara si ajo e një dite më parë do të jetë zero”, nënvizoi Çuçi.

Çuçi i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit të mos ia lejojnë vetes të bien në këtë nivel, që i përjashton ata automatikisht nga radhët e uniformave blu.

Ndërkohë Policia e Shtetit bën të ditur se në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen e djeshme me disa gazetarë, në Qafë Mollë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.

Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediet e qytetarët.

Në lidhje me këtë incident reagoi edhe SHÇBA, e cila njofton se ka nisur një inspektim për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shfaqur sjellje jo etike e konform detyrës.

Ditën e djeshme disa punonjës të policisë kanë patur një sjellje jo korrekte me përfaqësues të medieve, e në veçanti me gazetaren Anila Hoxha gjatë raportimit të një ngjarje kriminale./ATSH///

error: