Nga Pirro NACI
Për 7 prillin është folur shumë, por ka diçka që deri më tani nuk e kemi njohur aq sa duhet. Jo se kjo do të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve dhe të pikpamjeve për historinë në fjalë, por do ta plotësojë atë edhe me ato pak detaje të vogla por mjaft të rëndësishme.
Fjala është për “Intermexon” e mbretit Zog një ditë pas pushtimit të vendit në qyteti grek të Larisës, aty ku ai nisi udhëtimin e gjatë, pa mbarim dhe pa kthim. Duke parë arkivat, shkrimet, , fotografitë e qytetit ndoshta me një informacion jo të plotë, të paktën për familjen mbretërore Shqiptare kemi shkëputur disa prej tyre. Ndoshta është edhe hera e parë në versionin shqip të këtyre fakteve të mara nga gazetarët Nikos Papatheodhoru, Kostas Paravios dhe gazetat “Olimpos”, “Elefteria” dhe “Larisa”.


Ishte java e madhe (e shenjtë) e 1939-tës dhe në Larisa kishte një ndjenjë kërshërie dhe shqetësimi i pazakontë që kishte përfshirë të gjithë autoritetet lokale. Kurioziteti ishte i madh. Dhe për shkak se zakonisht asgjë nuk mbetet e “fshehur”për shumë kohë, filluan përshpëritjet se një personalitet i madh në mënyrë konspirative do të vizitonte qytetin. Dyshimet shkonin deri diku afër, pasi në disa radio dhe gazeta të kohës ishte folur për Mbretin e Shqipërisë, i cili do të detyrohej të linte vendin pas një sulmi të mundshëm të Musolinit. Autoritetet lokale i kishin përqëndruar dhe fokosuar përgatitjet në stacionin hekurudhor. Kjo bëri që shumë qytetarë kureshtarë të lëviznin drejt stacionit.

Atje konfirmuan se me të vërtetë do të mbërrinte Mbreti i Shqipërisë me përfaqësuesit e tij. Ndërkohë ishin informuar që do ta priste edhe ambasadori i Shqipërisë në Greqi. Më 7 Prill 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, duke parë se përpjekjet për një rezistencë të organizuar ishin të pamundura, Mbreti Zog u largua nga vendi dhe në konsultim me Metaxanë mori rrugën për në Larisa të Greqisë.
Qeveria greke i hapi kufinjtë dhe i afroi azil Mbretit dhe obortarëve, por i detyroi të shkonin drejt Larisës. Nuk ju lejua të shkonin në Athinë për të mos ardhur në keqkuptim me Italinë për të mos i dhënë strehim “armiqve” të saj. U ra dakort që qëndrimi të mos ishte i gjatë, por për një periudhë të kufizuar.
Mbreti Zog në drejtim të Greqisë kishte me vete gruan që dy ditë më parë kishte sjellë në jetë princin Leka të cilin e mbante vazhdimisht në duart e saj, motrat e pamartuara, Kryeministrin, ministrat, oborrtarët dhe disa njerëz të tjerë të cilët të gjithë së bashku ishin rreth 100 deri në 120 persona. Gjithashtu ai mbarte dhe sillte me vete në atë udhëtim një sasi të madhe parash të mbledhura nga arka e shtetit, bizhuteritë e rënda dhe të çmuara të pallatit Mbretëror, të cilat gjatë gjithë udhëtimit ishin vazhdimisht nën survejimin e tij.
Nga Florina u nis me tren dhe duke ndryshuar linjën në Platy, arriti në mesnatë rreth orës dy në stacionin e Larisës, në të gdhirë të 8 prillit. Në stacion u prit nga zyrtarët e udhëhequr nga Drejtori i Prefekturës, Stelios Vafiadhis dhe ambasadori i tij në Athinë. Prefektura i kishte organizuar dhe marrë të gjitha masat që familja mbretërore dhe shoqëruesit të strehoheshin në hotelet e qytetit. Hoteli i sapondërtuar në qendër të Larisës me emrin “Olimpos” ishte nga më luksozët e kohës dhe ishte pronë e sipërmarësit Jorgos Gakos. Ky hotel ishte rezervuar për Mbretin dhe kryeministrin Kote. Përpara hotelit u vendosë një truproje. Për pjesën tjetër të personelit ishin rezervuar edhe disa hotele të tjerë në Larisa. Pasi u sistemuan të gjithë nëpër hotelet e qytetit, familja mbretërore natën e kaloi në vagonin e trenit të sapoardhur, aty ku ishte e gjithë pasuria dhe ari i Shqipërisë.
Në të gdhirë të ditës, më 8 prill, aty rreth orës 11-të njerëzit e grumbulluar nga kërshëria u bënë dëshimtarë të një spektakli të cilin e ka përshkruar me këtë mënyrë gazetari i asaj kohe Kostas Perevos: Kur Mbretëresha dhe Princeshat u larguan, përbri trenit qëndronte një kamion. Nga treni zbriti Mbreti Zog me nja 10 ushtarë shqiptarë. Ata filluan të ngarkonin kamionin me arka prej druri jo shumë të mëdha, por ngaqë mezi mbaheshin nga dy ushtarë, tregonte se ato kishin një peshë të konsiderueshme. Zogu vëzhgonte gjithë procedurën derisa u ngarkua edhe arka e fundit. Ai mbylli portën e pasme të kamionit dhe shkoi e u ul përpara me shoferin. Dy makina të tjera morën oficerët dhe ushtarët dhe ju drejtuan hotelit. Të gjithë e kuptuan se kutitë prej druri kishin brenda thesarin dhe arin e Shqipërisë. I njëjti skenar edhe kur u bë shkarkimi arkave në hotel “Olimpos’. I njëjti interes dhe ankth nga ana e Mbretit për vendosjen e tyre në dhomat e gjumit. Pak ditë pas qëndrimit në Larisa Mretëresha papritur u sëmur dhe ishte me temperaturë. Ju afrua shërbim nga mjeku gjinekolog i qytetit Athanasios Rizos. (Emri i kësaj klinike ekziston edhe sot nga pasardhësit e tij që ushtrojnë profesionin e gjinekologut). Mbreti Zog dilte shumë rrallë nga dhoma e hotelit, ndërsa motrat mernin njërën nga tre makinat që kishte marë me vete Mbreti dhe shëtisnin në Larisa. Makinat ishin të vendosura në garazhin e Janis Strekas. Përveç mercedes-it të kuq të dhuruar nga Hitleri si dhuratë për martesë e tij, të dy makinat e tjera u përpoqën për t’i shitur. Por shuma ishte aq e madhe sa nuk u gjet as edhe një njerë për t’i blerë. Për periudhën e qëndrimit në hotelin luksoz të Larisës, Mbreti Zog u bë objekt i mjaft historive, thashethemeve, intrigave, të cilat mbushnin kohën e qytetarëve larisiotë në prag lufte.

Në fillim të korrikut familja mbretërore dhe djali i vogël i porsalindur, për shkak të temperaturave të larta, u zhvendosën me lejen e Qeverisë në një vend pak më të freskët, në Portaria të Pilios, në hotelin “Theoksenos”. Pak a shumë këto janë disa aspekte të pasqyruara ndër vite në shtypin e Larisës duke filluar qysh më 1939-tën, 1975-sën e deri më 2015-tën. Një intermexo interesante që i shtohet konteksit të historisë dhe ngjarjeve të 1939-tës./SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
”The Times” . Nga Mesdheu në Afrikë: Riviera Shqiptare mes vendeve më të rekomanduara për pushime
Takimi i Ramës në Vlorë, zbardhen porositë e kryeministrit në prag të sezonit turistik.
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë