SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

JUG-Gjirokastër, investime për turizmin e qëndrueshëm

Nga Blerim Kore /

Rreth 90 mijë turistë vendas dhe të huaj vizituan, gjatë vitit 2021, qytetin e Gjirokastrës dhe rrethinat. Sipas Bashkisë Gjirokastër, përgjatë vitit të kaluar vizitueshmëria nga turistët regjistroi rritje duke tejkaluar vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.

Turistët pasi mbërijnë në qytetin e gurtë parapëlqejnë të vizitojnë fillimisht kështjellën e Argjiros për të vijuar me monumentet e tjera të trashëgimisë historike dhe kulturore. Ndërkohë lista e monumenteve dhe zonave të preferuara për tu vizituar vijon me Pazarin karakteristik, banesën e gurtë të Zekatëve, Parkun Natyror të Viroit, etj. Një ndër pikat e preferuara të guidës turistike janë edhe muzeumet e qytetit.

Muzeu i Armëve dhe Muzeu i Luftës së Ftohtë, mirëpritën 7 mijë turistë vendas dhe të huaj gjatë 2021 ndërkohë që dy muzetë e tjera, Muzeu Etnografik dhe Shtëpia Kadare janë në proces rikonceptimi. “Përmirësimi dhe Rinovimi i Sistemit të Muzeve në Qytetin e Gjirokastrës” është një projekt që zhvillohet në kuadër të “Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin”, me financim nga Banka Botërore dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Gjirokastër. Ndërhyrjet që po kryhen në të dyja muzeumet, synojnë të ruajnë elementët arkitektonik dhe të promovojmë më së miri vlerat historike, traditës dhe trashëgiminë kulturore për vizitorët vendas dhe të huaj.  

Nxitja dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm është një prej prioriteteve kryesore të Bashkisë Gjirokastër. Përgjatë këtij viti bashkia në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorë të tjerë synon zbatimin e ndërhyrjeve për rijetëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, rikonceptimin e muzeve dhe organizimin e një kalendari të pasur aktivitetesh në shërbim të zhvillimit të turizmit.

error: