SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

KE publikon raportin për sundimin e ligjit në Shqipëri, vlerëson punën e SPAK

Komisioni Europian publikoi sot raportin për Shqipërinë sa i përket shtetit ligjor, ku thekson se ka vazhduar zbatimi i reformës në drejtësi duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë.

Në raportin e KE-së thuhet se ka ende sfida sa i përket vlerësimeve në kohë dhe me cilësi si dhe me emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

Sa i përket Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, KE-ja raporton se institucioni është funksional, por numri i lartë i vendeve vakante ndikon në efektivitetin e tij.

Gjithashtu Komisioni Europian në raportin e tij vlerëson punën e SPAK.

“Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe bëri përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në këtë luftë”, theksohet në raport.

Lidhur me luftën ndaj korrupsionit raporti thekson se “Policia e Shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit”.

Sa i përket Gjykatës Kushtetuese në raport thuhet se funksionon në mënyrë efektive, por Komisioni Europian vëren se ka “shqetësime për mosrespektimin e vazhdueshëm nga ana e Kuvendit të disa vendimeve të saj, si dhe pasiguri ligjore për kohëzgjatjen e saktë të mandatit të anëtarëve të saj”.

Komisioni Europian thotë se qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor është përmirësuar.(Klodi SARAÇINI)///

error: