Ministri i Brendshëm Taulant Balla, deklaroi sot se në Shqipëri, çdo banesë do të ketë kod unik.
Në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare ku ndodhej për të raportuar mbi shqyrtimin në parim të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9270, datë 29.7.2004, “Për sistemin e adresave”, të ndryshuar, Balla tha se, Regjistri Kombëtar i Adresave duhet të përditësohet në mënyrë të rregullt.
“Çdo banesë në Shqipëri do të ketë një kod unik. Kemi punuar edhe me akte nënligjore”, tha Balla teksa shtoi se, “ligjet e mira duan sanksione të forta”. Balla gjithashtu u shpreh se, Regjistri Kombëtar i Adresave duhet të përditësohet në mënyrë të rregullt dhe sipas tij kjo do të shërbejë edhe për turizmin.
“Banesat duhet që të kenë kod unik, që edhe turistët të gjejnë saktë adresën. Historia që banesa është tek Pallati me Shigjeta, më pas keni një kioskë e shko në kat të tretë, kjo nuk do të funksionojë. Me kodin unik, ky problem do të marrë fund. Kemi parashikuar kod edhe për banesën, edhe për ndërtesën”, tha Balla.
Balla nënvizoi se, “kodi unik nuk ka të bëjë me kodin 10-shifror zgjedhor. Kodi 10-shifror zgjedhor është një rudiment i vjetër që ka ngelur nga ligji i vitit 2004, i cili është shfuqizuar, por ka vazhduar të transpozohet në fakt edhe në Kod Zgjedhor”.
“Për të adresuar në mënyrë një objekt në territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet këtij regjistri kombëtar adresash, nevojiten 8 elementë të adresave. E para, është bashkia, e dyta është njësia administrative, e treta është brenda qytetit, fshatit, e katërta është kodi postar, e pesta është bulevardi, rruga, rrugica, sheshi ose parku”. Gjithashtu, shtoi Balla, përfshihet, “numri i ndërtesës që ka ecur në mbi 80% të territorit, numri i hyrjes dhe numri i apartamentit. Këto 8 elementë ka Regjistri Kombëtar i Adresave”.
Relatorja e çështjes, Antoneta Dhima, u shpreh se me anë të kësaj nisme ligjore do të zgjidhen të gjitha problematikat e evidentuara nga mosangazhimi i strukturave përkatëse në respektim të detyrimeve ligjore në procesin e emërtimit dhe të numërimit të pjesëve të territorit publik.
“Adresimi i tyre është një proces i domosdoshëm për menaxhimin urban dhe njëkohësisht për orientimin e shtetasve në zonat e tyre të banimit dhe njëkohësisht kur ata vizitojnë dhe qarkullojnë në zonat e tjera”, u shpreh Dhima.
Deputetja e opozitës, Monika Kryemadhi, vlerësoi këtë nismë ligjore ku u shpreh se është një nga iniciativat që pritet më shumë nga të gjithë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në parim projektligjin në fjalë.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.