Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi se, “koncesioni i Butrintit sot është në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk e ndalon koncensionarin AADF në formën e fondacionit, që të zgjedhë kush do të gërmojë dhe të vazhdojë me gërmimet në qytetin antik”.
“Së fundmi, i përzgjedhur është David Hernandez. Për ata që ky emër nuk u thotë asgjë, dua t’ju njoftoj që ky është një studiues kubanez, dhe një nga autorët bazë që ka zgjedhur AADF, në planin e menaxhimit të Butrintit. Sigurisht edhe student i antishqiptarit me famë Richard Hodges, që si anëtar i bordit të drejtorëve, vazhdon me tezat e tij kundra shqiptareve”, tha Zhupa.
Zhupa publikoi një intervistë të Hernandezit dhënë për gazetarin Marin Mema.
“Sipas Hernandezit, i cili gërmon në Butrint prej kohësh, në këtë qytet antik nuk ka asnjë gjurmë të popullatave lokale të njohura me emrin e kaonëve apo të prasaibëve. Pra sipas tij, nuk ka asnjë gjurmë të paraardhësve tanë.
Ai thotë se nuk është asgjë më shumë se një koloni greke ku çdo gjë ishte greke dhe e ardhur nga deti. I pyetur me të drejtë nga Mema mbi fatin e vendasve, Hernandes thotë se vendasit thjesht vinin dhe iknin me dele në një qytet tërësisht grek. Pra, ne jemi barinj dhe Butrinti është grek. E njëjta teori që përpiqet të vërtetojë e të lartësojë edhe Richard Hodges. Një e pavërtetë e madhe dhe qendrim antishqiptar pa asnjë evidencë historike.
Të dy këta, por dhe të tjerë që i zgjedhin po këta, me kompetencat që ka Hodges në bordin e drejtorëve të fondacionit, përpiqen të interpretojnë çdo gjetje sipas shkollës së tyre antishqiptare, të deformojmë realitetin, të keqperdorin pushtetin dhe të rishkruajnë historinë e shqiptarëve”, tha Zhupa.
“A ka dëm më të madh se ky që mund t’i behet një vendi se sa Butrintin, pasuri botërore UNESCO, t’ia zhdukësh identitetin e paraardhësve tanë, t’i mohosh historinë, vlerat kulturore? Ky dëm nuk zhbëhet me shekuj nëse tjetërsohen gjetjet, prishen provat materiale, keqinterpretohen, manipulohet e vërteta. Ndaj konventa e Parisit ka detyruar shtetin palë të jetë përgjegjës, sepse duhet jetë përgjegjës për historinë e identitetin të vet, dhe jo fondacionet private me individë privatë me interesa meskine, në këtë rast antishqiptare”, theksoi më tej Zhupa.
“Ne vazhdojmë betejën në Gjykatën Kushtetuese, por i bëjmë thirrje ministrisë të ndërhyjë, aq sa mund t’i dëgjohet zëri si 1/5 e fondacionit për të kërkuar largimin e tyre nga Butrinti. Ne kemi arkeologë të mrekullueshëm shqiptarë, që duhet jenë drejtues apo bashkëdrejtues të gërmimeve dhe kërkimeve në Butrint dhe kudo në Shqipëri në zonat pasuri kulturore”, tha ajo.
“Shqiptarët kanë dhënë jetën për të mbrojtur identitetin kombëtar, historinë, territorin, kurse qeveria sot jep Shqipërinë për të siguruar jetë luksoze dhe kartëvizita luksi për një grup klientësh dhe lobistësh të pushtetit”, përfundoi deputetja Zhupa.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.