SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Korrupsion dhe pastrim i produkteve të veprës penale, SPAK zbardh vendimin e masave ndaj Malltezit e Berishës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbardhi sot masat e marra ndaj Jamarbër Malltezit dhe Sali Berishës, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”. SPAK ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal.

Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”. Në vijim të hetimit, SPAK shprehet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga shtetasi Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jarmarbër Malltezi.

“Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij. Po ashtu, sipas SPAK, Berisha ka kryer veprime aktive në vendosjen në dispozicion të shtetasit Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore.

SPAK konstaton se përfitimi i parregullt në favor të shtetasit Jamarbër Malltezi, në cilësinë e bashkëshortit të vajzës së Kryeministrit, shtetasit S. B., ekziston dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova, se është privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga shtetasi Malltezi.

“Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtpërdrejtë shtetasi Malltezi.
Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë shtetasi Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkëshortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, shtetasi Malltezi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin F. B., ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe marrë përfitimin monetar në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro, (përfitim i paligjshëm) duke e paraqitur si e ardhur e ligjshme e siguruar nga investimi në veprimtari në ekonomike.

SPAK evidenton se shtetasi F. B. dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi është pikërisht ai që ka bashkëpunuar me shtetasin Malltezi për arritjen e qëllimit, i cili ka qenë shfrytëzimi i territoreve sportive për kryerje ndërtimesh. Nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. i ka siguruar shtetasit  Malltezi dhënien e përfitimeve të paligjshme në shumën totale 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.

Gjithashtu shtetasi F. B., dyshohet se ka konsumuar edhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal në bashkëpunim me shtetasin Malltezi pasi ka mundësuar nëpërmjet shoqërisë “Homeplan” sh.p.k. realizimin e fshehjes së origjinës së vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të shtetasit Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, mbështetur në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 112 datë 20.10.2023, ka caktuar këto masa sigurimi:

-“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodi Procedurës Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i Kodi Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha. -“Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodi Procedurës Penale ndaj shtetasit nën hetim Jamarbër Malltezi. -“Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga Kodi Procedurës Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga Kodi Procedurës Penale, ndaj shtetasit nën hetim F. B.

Mbështetur në kërkesën datë 15 tetor 2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 20 tetor 2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit Jamarbër Malltezi, 6 llogari bankare në euro, dollarë dhe lekë në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi, si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit Jamarbër Malltezi në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave).///

error: