Nga Dorian KOÇI
Më 3 korrik 2021, u nda nga jeta poeti Petrit Ruka. Kanë kaluar katër vjet që nga ajo ditë, por mungesa e tij nuk është shuar, përkundrazi, është bërë më e ndjeshme në peizazhin letrar dhe shpirtëror të shqiptarëve. Ndonëse nuk është një vit jubilar, ky përvjetor shënon më shumë sesa një kujtim të zakonshëm – ai është dëshmi e një rruge të gjatë poetike që pasqyron thellësisht ndjeshmërinë, mendimin, ëndrrat dhe dhimbjet e njeriut shqiptar.
Petrit Ruka nuk ishte thjesht një poet : ai ishte një bard. Një bard në kuptimin më të plotë të fjalës, si në mitologjinë klasike, ashtu edhe në traditën shqiptare. Poezia e tij përfaqëson një gjuhë të veçantë shpirtërore që i flet jo vetëm lexuesit të sotëm, por edhe atij të nesërmit. Me një zë të qetë, me një lirizëm që herë-herë ngjan si psherëtimë dhe herë-herë si një britmë që ngjitet nga thellësia e ndërgjegjes, Petrit Ruka shndërroi vargun në një udhëtim ndërmjet kohëve, brezave dhe ndjenjave.
I lindur në Tepelenë, në një trevë ku poezia popullore nuk është vetëm shprehje artistike, por mënyrë jetese dhe kujtese kolektive, Petrit Ruka rriti në vetvete një ndjeshmëri të hollë ndaj tingullit dhe metaforës. Po aq sa kishte ndjeshmëri ndaj gjuhës, kishte dhe një ndjeshmëri të thellë ndaj shpirtit të njeriut të thjeshtë, ndaj realiteteve të jetës, ndaj dilemave të përditshme, dashurive të përmbysura, ëndrrave të ndërprera dhe mallit për vendlindjen
Në këtë kontekst, poezia e tij bëhet një meteor që përshkon universin e lexuesit shqiptar, nga Vjosa deri në mërgim, nga ritualet e vjetra te ndjeshmëritë moderne. Vargjet e tij janë të mbushura me simbole që të kujtojnë njëkohësisht baladat e moçme dhe artin bashkëkohor, ku “Baba, ne ikëm” shndërrohet në një ikonë të braktisjes, por edhe të lidhjes së përjetshme me atdheun.
Në këtë poezi, poeti nuk flet vetëm për një ikje fizike – ai flet për një dramë kolektive që ka kapluar shpirtin shqiptar ndër dekada: ndarjen nga rrënjët, braktisjen e tokës amë, ndarjen me vlerat, me gjuhën, me të vërtetën. Nga ana tjetër, në “Varrimet e Naim Frashërit”, Petrit Ruka e ngre poetin kombëtar në piedestalin e përjetësisë, duke i dhënë një dimension të ri atdhedashurisë: atë të mirënjohjes së përjetshme që vetëm arti di ta ruajë.
Ajo që e bën poezinë e Petrit Rukës art dhe simbolike është aftësia e tij për të bashkuar në mënyrë harmonike traditën dhe modernitetin. Në një kohë kur shumë poetë ose ngjiteshin në metafora të paarritshme, ose zhyteshin në minimalizëm të pafrymë, Ruka qëndroi në një rrugë të vetën: rrugën e shpirtit shqiptar.
Ai nuk mohoi kurrë motivet popullore, mitet, simbolet e tokës, të ujit, të hënës e të gurit – por i përdori ato si elementë për të folur për dramën e kohës së tij. Ky bashkim i së vjetrës dhe së resë, i të njohurës dhe të panjohurës, përbën alkiminë e artit të tij: ai ktheu jetën në poezi, dhe poezinë në art.
Jo më kot shumë studiues e kanë konsideruar Rukën si një poet “eoalian”, i frymës dhe i erës, që përçonte në vargje lëvizjen e brendshme të shpirtit dhe botës. Vargu i tij është i gjallë, i dridhshëm, i përpunuar me kujdes e dashuri për çdo fjalë, për çdo metaforë. Ai nuk e përdorte fjalën për të tronditur, por për të ndriçuar. Ishte një poet i bukurisë dhe i mirësisë, i ndjesisë dhe i urtësisë.
Për Petrit Rukën, vendlindja nuk ishte thjesht një toponim. Tepelena, me bukuritë dhe dhimbjet e saj, ishte një univers i tërë emocional, një burim i pashtershëm frymëzimi. Ai krijoi edhe një mbiemër për këtë: “Tepelenti”, që e përdorte si pseudonim dashurie dhe krenarie, sa herë u drejtohej miqve të tij. Në këtë aspekt, ai nuk është vetëm një poet i një vendi, por një shprehës universal i ndjeshmërisë lokale, që mund të kuptohet dhe përjetohet kudo ku ka njerëz që ndjejnë.
Petja, siç e thërrisnin miqtë, ishte më shumë se poet. Ai ishte mik, bashkëbisedues, udhërrëfyes shpirtëror. Nuk kishte përçartje egosh apo intelektualizëm të thatë në personalitetin e tij – kishte mirësinë e njeriut që e ndante shpirtin me të tjerët përmes poezisë. Kjo mirësi është ndoshta trashëgimia më e vyer që ai na la: një shembull njerëzor dhe artistik i rrallë në kohët tona.
Sot, më shumë se kurrë, vepra e tij poetike ka nevojë të botohet në mënyrë të plotë, të përmblidhet si një testament i gjuhës shqipe në stadin e saj më të ndjeshëm dhe më të përpunuar. Në vargjet e Rukës mund të gjenden thesare gjuhësore që nuk i ka askush tjetër – figura që çelin horizonte të reja kuptimore, ritme që pasqyrojnë melodinë e gjuhës sonë, simbole që ndërtojnë ura midis brezash.
Një botim kritik i veprës së tij, i shoqëruar me studime dhe reflektime, do të ishte jo vetëm një nder për kujtimin e tij, por edhe një kontribut madhor për trashëgiminë letrare shqiptare.
Petrit Ruka nuk është më fizikisht mes nesh, por ai jeton nëpër vargjet e tij, në zemrat e lexuesve që qajnë dhe qeshin me fjalët e tij. Ai jeton në kujtimet e kolegëve, në zërin e atyre që recitojnë poezitë e tij në festa, në ceremonitë e kujtesës dhe në netët e vetmisë së poetëve të rinj.
Si heronjtë e baladave që ai i deshi shumë dhe krijoi disa të tilla, perla të poezisë shqipe, edhe ai ringjallet në çdo përvjetor, për të na kujtuar çfarë është më e bukura në këtë jetë: fjala e bukur, ndjeshmëria artistike dhe mirësia.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.