SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Liga e Kombeve/ Shqipëria mposht 3-1 Kazakistanin

–Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 3-1 në ndeshjen e luajtur sonte përballë Kazakistanit, në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për Ligën e Kombeve (Nations League).

Trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja rreshtoi formacionin 3-4-3 me portierin Berisha në portë, me mbrojtësit Djimsiti, Ismajli dhe Veseli. Në mesfushë Hysaj, Memushaj, Abrashi dhe Kallaku dhe në sulm Uzuni, Manaj dhe Cikalleshi.

Kombëtarja e nisi mjaft mirë lojën teksa në minutën e 16-të arriti të shënojë me anë të Cikalleshit, i cili shfrytëzoi më së miri një kros në zonë.

Në minutën e 23-të  erdhi dhe dyfishimi i rezultatit, teksa Ismajli shfrytëzoi mjaft mirë në zonë një pakujdesi të mbrojtjes kazake.

Por gëzimi i lojtarëve të kombëtares nuk zgjati shumë pasi kazakët ngushtuan diferencën me një gol nga mesfusha menjëherë pasi rivunë topin në lojë, teksa Abiken gjeti të papërgatitur portierin Berisha.

Në pjesën e dytë, Kombëtarja hyri në fushë mjaft e motivuar teksa në minutën e 63-të Abrashi fitoi një 11 metërsh të cilin e shndërroi në gol sulmuesi Rey Manaj.

Në pjesën e mbetur të takimit Kombëtarja kontrolloi lojën, duke menduar edhe për sfidën e së mërkurës ndaj Bjellorusisë.

Në ndeshjen tjetër të grupit 4 të Ligës C Bjellorusia mposhti 2-0 Lituaninë.

Shqipëria renditet e dyta në grupin 4 me 8 pikë, ndërsa grupin e kryeson Bjellorusia me 10 pikë./atsh//

error: