Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama rrëfeu sot dinamikat e jetës në arenën e ashpër politike në Shqipëri dhe sfidat e saj në karrierë e familje.
Në një intervistë televizive e pyetur se përse ka vendosur të qëndrojë e tërhequr nga opinioni publik, Linda Rama tha se “kam qenë më vizibël deri në momentin kur u martova me Edin dhe fillova të jetoja me të. Profesionalisht gjithmonë flas, kam qenë shumë më aktive, por gjithsesi mu desh që të modifikoja diçka në të gjithë qasjen e shpalosjes në publik. Edhe me audiencat, jo domosdoshmërisht në publik, por në audienca sepse ti në momentin që jeton me një politikan sigurisht mund të trajtosh me audiencë profesionin tënd, por ka të ngjarë që lajmi në fakt të jetë i lidhur me pjesën publike të asaj që ti je”.
“Për ta shmangur këtë lloj keqkuptimi por edhe për të respektuar vullnetin e njerëzve, sepse kjo është e vërteta, ata kanë zgjedhur Edin për të qenë protagonist, ata kanë zgjedhur Edin për t’i eksperimentuar të gjitha format e tij dhe Edi është shumë më i dobishëm në këtë aspekt për njerëzit. Kështu që unë kam dashur që t’ja le këtë arenë Edit dhe këtë kam bërë. Është një zgjedhja e ime”, shtoi Linda Rama.
Megjithatë sipas Linda Ramës klima politike dhe publike që rrethon familjen kryeministrore shpeshherë mund të jetë sfiduese, pavarësisht përgatitjes mendore që shumë sulme do të vijnë nga kundërshtarët politikë.
“Në momentin që unë kam filluar të jetoj me Edin, jam martuar me Edin në vitin 2010 dhe dihet që në atë periudhë për disa vite Edi ishte në fokus të shumë sulmeve dhe shumë akuzave të cilat në fakt, ndonjëherë merrnin dhe trajta të paimagjinueshme duke sakrifikuar, duke mos marrë parasysh as gra, as të vdekur dhe as fëmijë. Kjo ishte klima dhe unë kisha vendosur, e dija që kisha vendosur të lidhja jetën me një njëri me vokacion shumë të qartë politik dhe ndërkohë një njeri i cili kishte pretendimin dhe ambicien për tu bërë Kryeministri i Shqipërisë”, deklaron Rama.
E kam pasur vetëdijen e plotën, vijon ajo, që kosa e gjuhës së egër politike nuk do më kursente edhe mua.
“Isha e përgatitur që kjo do ndodhte dhe sulmet për Edin nuk pushonin dhe ishte si një breshëri, të jetoje si në breshëri, që jo në pak raste të pushtonte edhe një një mërzi e madhe.Në ato momente të vjen të mbrosh ata që janë pranë teje. Të parët janë sigurisht fëmijët dhe prindërit dhe të afërmit”, – tha Rama.
E pyetur nëse Edi Rama i përjetonte këto sulme, Linda Rama thekson se “ndonëse shpesh herë Edi nuk shprehej edhe për të thellësisht shqetësimi qëndronte tek pasojat që ato linin tek njerëzit e afërt që nuk kishin zgjedhur politikën”.
Duke folur për gratë përfaqësuese të kabinetit qeveritar dhe ato në politikë Linda Rama tha se duhet të shërbejnë si katalizator i fuqizimit të gruas dhe adresimit të problematikave të tyre, mision i cili sipas saj nuk është mjaftueshëm i shprehur.
“Atyre grave që iu është dhënë mundësia për të qenë në nivelet më të larta, unë nuk i shoh këto gra, aq sa duhet në nivelin e misionit. Ato nuk janë ngritur në nivelin e misionit, ato thjesht përpiqen të performojnë në punën e tyre. Duhet hequr egoja personale, duhet të mendojnë se aty nuk janë se janë më të mirat. Jo, nuk janë më të mirat, ka shumë më të mira thjesht iu është dhënë mundësia dhe për shkak të kapaciteteve,” – tha Linda Rama.
“Mandati i tretë i rëndësishëm për të çuar përpara një axhendë që vetëm Edi e çon në një stacion të pakthyeshëm”
Bashkëshortja e Kryeministrit Rama, Linda Rama theksoi se “mandati i tretë i rëndësishëm për të çuar përpara një axhendë që vetëm Edi e çon në një stacion të pakthyeshëm”.
E pyetur si e përjetoi fitoren e mandatit të tretë të Partisë Socialiste, theksoi se “ne asnjë fitore të Edit, se janë disa fitore, janë gjithmonë fitore në një farë mënyre, të paktën për sa kohë unë jetoj me të, ne nuk e festojmë”.
“Asnjëherë nuk kemi festuar një fitore të zgjedhjeve të Edit, sepse fitoret e partive në zgjedhje, nuk janë si fitore në sport, që ti je në një kampionat sporti, je më i miri, fiton një kupë, kupa është aty, është e pakontestueshme, e ke për gjithë jetën dhe i gëzohesh asaj kupe. Në politikë nuk është kështu. Në politikë, një fitore është thjesht një privilegj i madh dhe një mundësi e madhe për të vijuar për të bërë punë. Dhe ndërsa ti bën gjithë këto punët në vijim, është një stres i përditshëm dhe është një konfirmim që ti e kërkon që ta marrësh çdo ditë dhe çdo ditë të punës tënde”, – nënvizoi Linda Rama.
Më tej Linda Rama u shpreh se “Shqipëria ka nevojë për zhvillim cilësor dhe standarde të reja”.
“Edi thotë që mandati i tretë s’duhet t’i ngjajë dy mandateve të para. Biem dakord për këtë dhe kur hapet ndonjë aspekt më konkret fillojmë flasim. Por ajo që do të thoja unë se si do ta organizojnë këtë mandat është çështje e Partisë Socialiste dhe e Edit. Por, ajo që do të thoja unë është që Shqipëria ka arritur në pikën që ka nevojë për zhvillim cilësor dhe për standard. Ky duhet të jetë fokusi dhe mendoj që Shqipëria nuk ka më kohë që të presë që cilësia dhe standardi të jenë kryefjala e çdolloj gjëje që i ofrohet”, -theksoi ajo.
Linda Rama u shpreh se “jemi në prag të konferencës së parë ndërqeveritare, të hapjes së bisedimeve. Negociatat janë përafrim ndaj legjislacionit, standardeve, cilësisë së asaj familje ku aspirojmë. Jemi në stacion dhe është kontribut i 30 viteve dhe mbas 30 viteve jemi në pikën ku duhet të mendojmë për standardet dhe jo thjesht për zhvillimin”.
Ende një plagë e hapur humbja e Aneta Ramës, e pakrahasueshme në përkushtimin e saj
Në rrëfimin e saj Linda Rama foli edhe për marrëdhënien e saj me Aneta Ramën, nënën e kryeministrit Rama, e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.
“Po të ishte Zaho këtu tani, t’ju dëgjonte me këtë pyetje do thoshte, do më shihte mua menjëherë, dhe do thoshte “mami, mos qaj”. Ajo që mund të them unë është që ne jemi akoma me plagë të hapur për humbjen e mamasë së Edit dhe fushata ishte shumë afër dhe na e bëri më evidente mungesën e saj, veçanërisht mua, që në fakt bisedat me mamanë e Edit i kisha të përditshme, sigurisht, por i kisha shteruese, i kisha shumë të gjata dhe vërtet shteruese. Mendoj që kishte një problem me ne sepse ne, mamaja e Edit na kishte bindur në kohë që nuk do ikte asnjëherë”, – tha e përlotur Linda Rama.
“Ajo ishte përçmuese ndaj dhimbjes, ishte e pakrahasueshme në përkushtimin e saj. Ishte shumë kurajoze në të gjitha këto sfidat që e vinte shëndeti i saj i brishtë dhe do thosha ishte jashtëzakonisht dinjitoze. Mund të them edhe këtë që ajo ishte madhështore në mënyrën se si e përballoi të papërballueshmen për aq shumë gjatë për shkak të gjuhës shumë të egër politike duke ndenjur mbështetësja dhe ndjekësja më e madhe, kërkuesja më e madhe dhe besimplotë që e ka thënë edhe vetë në vetmen intervistë që ka dalë që “Edi në politikë i bën mirë Shqipërisë”, – tha Linda Rama./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Lavazh makinash” por shisnin kanabis, arrestohen dy.
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri