SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie. Adem DACI, shpirt dhe fisnikëri.

Nga Vangjel AGORA

(Vlerësimi nderues i Këshillit Bashkiak të Sarandës, duke i dhënë emrin e tij Qendrës Kulturore të Fëmijëve, është një akt mirënjohjeje institucionale dhe morale për një muzikant të talentuar, i cili me përkushtim dhe fisnikëri la gjurmë të pashlyeshme në breza.)

Adem Daci ka lindur më 7 dhjetor 1945 në qytetin e Përmetit. Qysh fëmijë në klasën e dytë, i rritur në një mjedis familjar muzikantësh, ku të gjithë pjesëtarët e familjes së tij luanin në instrumente të ndryshëm, Ademin e tërhiqte me shumë kitara. Prej vitit 1960 deri në vitin 1964, para se të kryente shërbimin ushtarak, A. Daci aktivizohej rregullisht në të gjitha koncertet muzikore që organizonte Shtëpia e Kulturës e Përmetit, deri sa një ditë të bukur pranvere të vitit 1968 vjen në qytetin e Sarandës, në përbërje të një ansambli muzikor të Shtëpisë së Kulturës së Përmetit, për të marrë pjesë në një festival që organizohej aty.

Pjesët e ekzekutuara prej tij në kitarë te ky festival lanë mbresa të thella te spektatori i Sarandës, duke tërhequr vëmendjen edhe të drejtuesve të kulturës në qytetet, të cilët i propozuan të bëhej pjesëtar i trupës profesioniste të estradës së Sarandës, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Kështu në fillim të vitit 1969 filloi punë si kitarist në këtë trupë, deri sa doli në pension në vitin 2010. Kontributi i tij artistik 40 vjeçar është i gjerë dhe i larmishëm, jo vetëm si një kitarist i talentuar, por edhe si një muzikant e krijues, pjesëmarrës në shumë aktivitete muzikore, festivale fëmijësh dhe të rriturish, të organizuara gjatë viteve në qytetin tonë si dhe në qytete të tjerë të vendit. Nëpërmjet kitarës A. Daci u bë një emër i dashur për artdashësit e panumërt duke u përcjellë atyre ndjeshmëri të bukura, elegancë dhe ëmbëlsi tingujsh, duke fituar emër në rang kombëtar përmes turneve të organizuara nga trupa jonë e estradës. Ai ishte gjithkund i pëlqyer dhe i duartrokitur për virtuozitetin e tij në kitarë dhe shpirtin krijues e plot pasion. Mbi telat e kitarës artisti nuk ka derdhur thjesht nota, por një emocion të veçantë të ngjizur me meloditë e kabave përmetare, trazuar me valët e detit Jon dhe ison labe. Brezi i të rinjve gjimnazist të viteve ‘70 në Sarandë, e kujtojnë Ademin si një kitarist plot melodiozitet, që i entuziazmonte me pjesëmarrjen e tij në mbrëmjet rinore të organizuara në ato vite si i vetmi argëtim i kohës.

Adem Daci ka qenë pjesëmarrës në mbi 150 premiera të estradës profesioniste të Sarandës, dhe krijues i disa këngëve të kënduara nga këngëtarët e Estradës. Kontributi i tij shtrihet dhe në shumë aktivitete muzikore të lëvizjes amatore të qytetit si instrumentist, krijues e drejtues muzike. Ka qenë pjesëtar në disa festivale folklorike të vendit, si llautist i talentuar i muzikës popullore, i nderuar edhe me çmime. Ka marrë pjesë gjithashtu në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore si dhe në disa ansamble të tjera të vendit, i përfshirë në turnetë që organizoheshin para viteve ‘90 jashtë shtetit. A. Daci ka qenë një inspirues dhe mësues i dhjetëra kitaristëve të rinj, që kanë dalë nëpër vite në qytetin tonë. Trupa e estradës së Sarandës e ka patur vazhdimisht si pikë kyçe të suksesit në programet dhe turnetë jashtë rrethit. Figura e tij artistike është e shumëfishtë, jo thjesht si një instrumentist dhe muzikant i talentuar, por një individualitet me emër, nga vlerat e rralla të trupës, pa të cilin suksesi i saj nuk mund të kuptohej. Si njeri dhe artist i komunikueshëm dhe i dashur me të gjithë kolegët, ka ndihmuar shumë me shembullin e tij në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin krijues brenda kolektivit.

Ademi u nda nga jeta më 12 janar 2022 në moshën 77 vjeçare.

Me tingullin e kitarës së tij, i dha Sarandës jo vetëm melodi, por shpirt, finesë dhe identitet artistik.

Emri Adem Daci sot nuk është vetëm kujtim, por frymëzim i gjallë për fëmijët dhe të rinjtë që do të rriten me artin dhe muzikën.

Saranda e njohu bukurinë e tingujve të kitarës në vitet 70 falë mjeshtërisë së Adem Dacit, ndërsa ai nëpërmjet kitarës së tij e bëri të njohur Sarandën në gjithë vendin…///

error: