Gëzim LLOJDIA
1.
Historia e një kombi nuk shkruhet vetëm nga bijtë e tij, por edhe nga ata që e duan dhe e mbështesin nga larg. Një nga këto figura është Mary Edith Durham, udhëtarja, shkrimtarja dhe antropologia britanike që la gjurmë të thella në kujtesën e shqiptarëve.
Ajo nuk e pa Shqipërinë thjesht si një vend të vogël ballkanik, por si një komb me kulturë të pasur, zakone të lashta dhe shpirt të pavarur.
2.
Më 3 gusht të vitit 1914, në hotelin “Ballkan” të Vlorës, qyteti i pavarësisë i dha Mis Durham një nderim të veçantë: titullin “Qytetare Nderi e Vlorës”.
Mary Edith Durham (1863-1944).
Durhan ishte një udhëtare, artiste, shkrimtare britanike, mike e Shqipërisë, që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit te XIX -të dhe fillim të shekullit të XX – të.
3.
Ky çast ishte më shumë se një ceremoni formale,ishte një shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në promovimin e çështjes shqiptare në Evropë.
…Kryekatundari i Vlorës, Ibrahim Abdullahu, e shprehu me fjalë të thjeshta, por të fuqishme:
“Mis Durham e bëri Europën të hedhë sytë nga Shqipëria.”
Durham, autore e disa librave mbi jetën dhe kulturën shqiptare, e solli Shqipërinë në sytë e botës përmes penës së saj.
…Me propozimin e Mid’hat Frashërit, ajo u nderua gjithashtu me një pendë të artë dhe një kostum popullor, dhurata që simbolizonin lidhjen shpirtërore mes saj dhe vendit që e pranoi si të vetën.
Vitet që pasuan treguan se ky titull nuk ishte një rast i izoluar. Me rastin e festimit të 28 Nëntorit 1920, Ali Asllani, ftoi në qytetin e Vlorës kryeministrin Sulejman Delvina të cilin edhe e shpalli: “Qytetar Nderi të Vlorës”. Pas Mis Durham, ishte i pari shqiptar që u shpall qytetar nderi i Vlorës.
…Gazeta”Jeta e Re”, Vlore, dt. 1.9.1938.
4.
Figura e saj mbetet e gjallë jo vetëm në faqet e librave, por edhe në kujtesën historike të shqiptarëve.
Edith Durham është dëshmi se miqësia dhe dashuria për një komb nuk kufizohet nga gjuha apo kufijtë, por lind nga respekti dhe vlerësimi i vlerave të tij.
Shpallja e Mis Durhamit “Qytetare Nderi e Vlorës” nuk ishte thjesht një akt simbolik, por një kapitull i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare. Ajo mbetet një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe botës, një zë i fuqishëm që i dha vendit tonë vëmendjen që meritonte.
Historia e saj na kujton se mirënjohja është e përjetshme dhe se kombi ynë është rritur edhe falë miqve të tij të mëdhenj.///
ME SHUME LAJME
Media italiane “TgYou24”: Mes plazheve dhe trashëgimisë kulturore, Shqipëria në krye të tendencave turistike
Himara mes destinacioneve më të kërkuara nga britanikët për verën e 2026-ës
48-vjeçari shqiptar arratiset nga burgu Koridhalos në Athinë