SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie. Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore

Marigo Pozio është figura historike që përveç Ismail Qemalit, lidhet më së shumti me ditën e pavarësisë, duke u kujtuar si zonja që qëndisi flamurin kombëtar. Por Pozio ishte gjithashtu një intelektuale dhe patriote.

Marigo Pozio lindi më 2 shkurt 1878 në Hoçisht të Korçës. U arsimua në Mësonjëtoren e Parë dhe te shkolla e motrave Qiriazi. Njëkohësisht u bë mjeshtre e qëndisjes së simboleve kombëtare dhe në shpërndarjen e abetareve dhe librave të parë shqip te vajzat e tjera të Korçës dhe rrethinave.

Gjatë këtyre viteve u martua me tregtarin Jovan Pozio. Për arsye tregtie, familjarisht u vendos në Vlorë në vitin 1904. Këtu filloi veprimtarinë e saj patriotike, duke u angazhuar për përhapjen e arsimit shqip dhe forcimin e vetëdijes kombëtare. Në vitin 1908 u themelua klubi “Labëria”.

Pozio u bë anëtare aktive e tij. Ky klub ishte një shoqatë kulturore dhe një qendër politike dhe intelektuale, që luajti rol vendimtar në përgatitjen e terrenit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Marigo Pozio u shqua gjithashtu si nismëtare e lëvizjes për emancipimin e gruas. Në vitin 1914, themeloi shoqërinë e parë të grave në Vlorë dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare”. Përmes kësaj gazete, ajo pasqyronte aktivitetet e shoqërisë, botonte artikuj edukativë dhe bënte thirrje për angazhimin e grave në jetën publike, duke mbrojtur të drejtat e tyre.

Gjatë viteve të vështira të luftës, Marigo Pozio udhëhoqi misione humanitare në ndihmë të luftëtarëve dhe refugjatëve, duke u bërë shembull i patriotizmit dhe humanizmit shqiptar.

U nda nga jeta në Tiranë, më 23 shkurt 1932.(Edlira RUZI)///

error: