SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Memorie. Sarandë, 12 dhjetor 1990… E para demostratë masive kundër regjimit komunist në jug të Shqipërisë.

Nga Pirro NAÇI

Poshtë diktatura!…Duam liri!…Hapni kufijtë!…

Këto, e shumë të tjera, u dëgjuan për herë të parë në dhjetor të 1990-tës në Sarandë. Ishte ndoshta e para demostratë masive kundër regjimit komunist . Një protestë e nisur nga fshatarët e Alikos e të Vurgut, që në krahë mbanin katër djemtë e vrarë dhe të masakruar në kufi. Pak rëndësi ka se kush ishte ‘’hera e parë’’…

Lufta kundër regjimit është edhe lufta e kujtesës kundër harresës… Sa herë që vjen 8 dhjetori, bëhen emisione, veprimtari të ndryshme dhe përkujtohet me nderim lëvizja studentore… Madje në shumë biseda akoma edhe sot nuk është ‘’saktësuar’’ kush e nisi revoltën , kush ishin të ‘’parët’’…Ata të Akademisë së Arteve apo ata të Inxhinjerisë Elektrike; ata të godinave 28-29 apo 23-24 etj, etj…’’Urrithët’’,(studentët e Gjeologjikut) thonë se Artet, atë ditë, përkujtonin Xhon Lenon!…Sido që jetë, në një mëyrë apo në një tjetër, të gjithë kishin meritë. Studentët vunë dorën të parët për të ardhur ndryshimi…

Dhe bashkë me ta, më pas, të gjithë që ju bashkuan lëvizjes… Pa dashur të bëj paralelizëm, për arsye thjesht historike, nuk duhet të ‘’mbyllim’’ sytë me ç’ka ndodhte në vend dhe sidomos në jug. Vrasjet në kufi e të rinjëve që donin botën e lirë, ishin bërë të ‘’modës’’ …’’Paradat’’ e skafit të policisë që tërhiqte trupat e pa jetë në Gjirin e Sarandë, ishin sa të frikshme, po aq të turpshme dhe të tmerrshme! Katër djem nga fshati Aliko, u ekzekutuan dhe u masakruan në kufi, në kërkim të lirisë së munguar në diktaturë…Ishte shkaku që ngriti në këmbë një fshat, një zonë e një popull të tërë…U nisën për të bërë revoltë paqësore në Sarandë…

Rruga ishte e mbushur me fshatarët e zonës…Shteti u ngrit në ‘’këmbë’’, me armë me forca ushtarake e policore…fshatarët, me djemtë e pa jetë në krahë dhe me parulla në dorë, Shteti me plumba… madje qëlloi dhe plagosi. Donte përsëri GJAK! Një revoltë masive kundër regjimit.

Në Tiranë, studentët kërkonin dialog me Ramiz Alinë, kurse në Sarandë demostruesit kërkonin rrëzimin e tij dhe të diktaturës. Ishin të gjithë atje, nëna dhe fëmijë , të rritur dhe të moshuar…‘’Ata që kundërshtojnë ‘’dinastitë’’ quhen… popull’’, shkruante Tuqididi. Dhe ‘’popull’’ nuk ështe vetëm Tirana dhe studentët, por edhe Saranda, Alikua apo edhe Shkodra. Një popull që mbart përbrenda edhe një ‘’popull’’ tjetër-minoritetin, është më i pasur, më i fortë dhe më demokratik.

Por jo vetëm në jug. Pak muaj më vonë ‘’stafetën’’ e mori edhe veriu. Shpallja e protestave në të gjithë vendin arriti pikën kulmore në kryeqendrën e veriut në prill të1991, nga ku u demonstrua hapur qëndresa e studentëve dhe popullsisë vendase, për te rrëzuar regjimin. Vrasja e të rinjve, futi në zi jo vetëm Shkodrën, por të gjithë Shqipërinë, u morën katër jetë të pafajshme, katër jetë rinore…

Duhet t’ i rrëfejmë faktet historike, dhe mos të mendojmë se duke folur dhe ‘’tjerrur’’ historinë, kemi ‘’thurur’’ edhe të vërtetën … Historia nuk është kurrë e njëanëshme. Sa herë vjen dhjetori, nuk duhet të harojmë edhe revoltën e Alikos dhe katër Martirët e Demokracisë… Gjaku i 12 dhjetorit 1990-tës është simboli i luftës për liri dhe demokraci në Shqipëri. Të tjerat… vijnë më pas. Nuk e di në se Artet, në këtë dhjetor, kujtuan Xhon Lenon. Të paktën, shpresoj të kenë kënduar ‘’Imagine’’ dhe sidomos refrenin… ‘’And the world will live as one’’./sarandaNews.al///

error: