Efektivë të policisë së Shtetit kanë ndërhyrë sërish në orët e vona të mbrëmjes së djeshme për largimin e çadrave të ngritura para kryeministrisë nga kryetari i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe mbështetës të tij.
Ata janë përplasur me punonjësit e policisë duke kundërshtuar këtë vendim.
Gjatë këtij aksioni, dyshohet se Lapaj është lënduar në kokë nga një prej bombolave të gazit dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Ministria e Shëndetësisë deklaroi sot se “në Spitalin Universitar të Traumës, mbrëmjen e djeshme janë paraqitur 5 persona, dy prej të cilëve efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka lënë Spitalin ndërsa tjetri vijon i hospitalizuar nën kujdesin e mjekëve”.
Ndërsa Lapaj pas ekzaminimeve të kryera ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por po vijon të jetë në spital në kujdesin e ekipit mjekësor.
Gjithashtu, sipas informacioneve, për ndihmë mjekësore në spital janë paraqitur edhe dy protestues të cilët gjithashtu ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe kanë lënë ambientet e spitalit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Lapaj ka reaguar në rrjetet sociale duke u shprehur se nuk do të dorëzohet, por do të kthehet sërish në shesh.
“Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur. Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur. Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi. I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve”, ka shkruar Lapaj.
“Shqipëria Bëhet” po proteston pa ndërprerje që prej datës 8 dhjetor para godinës së Kryeministrisë(Almarina GEGVATAJ).///.
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.