Ministrja e re e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, duke falënderuar për mesazhet e shumta inkurajuese për detyrën e re, theksoi sot se “do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe Kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit”.
Në një reagim, ministrja Kushi tha se, “ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar. Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme”.
“Kur mora doktoraturën në Stafforshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh”, – nënvizoi Kushi.
Ministrja e re Kushi u shpreh se “uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve”/ATSH///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit