SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

NË CORLEONE, FSHATIN E FANTAZMAVE TË MAFIAS

Nga Beti NJUMA

Fshati me famëkeq në botë quhet Corleone. Është kryeqyteti i Cosa Nostra-s që me mekanizmat mafiozë të përhapur si tentakulat e një oktapodi ka sunduar Italinë për gati një shekull. Ndodhet në kodrat e bukura siçiliane, 50 km larg Palermos dhe fama nuk i buron nga peizazhi i mrekullueshëm por nga bosët e mafias që kanë dalë nga gjiri i saj 100 vitet e fundit e që kulmuan me Leoluca Bagarella-n, Totò Riina-n dhe Bernardo Provenzano-n. Hija kriminale e mafias është e rëndë edhe sot kur krerët e saj nga ky fshat kanë vdekur.

Pas arrestimit të bosëve mafiozë sot në Corleone jetojnë të afërmit e tyre, një syresh, Ninetta Bagarella, gruaja e Titò Riina-s që banon në rrugën Scorsone 24 por prania e saj është ajo e një fantazme, askush s’e sheh, askush s’e di çfarë bën. Natyrisht që një vizitë pasditeje është e pak për të kuptuar nga buron mafia në këtë fshat, por e mjaftueshme për të parë se njerëzit ende kanë frikë. Në restorantin ku hëngra drekë i pyeta pronarët që shërbenin për shtëpinë e Riina-s dhe ata, me përuljen e atyre që ende kanë frikë më thanë se aty jeton e shoqja me djalin e dytë, ndërsa i pari ka ndjekur gjurmët e të atit: Per noi sono persone buone! – tha fqinji i fshatit dhe ngriti duart lart si i dorëzuar. Në Corleone më shumë se kudo mbizotëron omerta-ja ose ligji i heshtjes edhe pse godina ku u fsheh bosi tjetër Provenzano sot është kthyer në një laborator antimafia ku ndër të tjera shiten produkte të prodhuara nga tokat e konfiskuara të mafiozëve ndërsa sheshi kryesor mban emrin Piazza Falcone e Borsellino.

Në një nga sheshet e tjera të fshatit gjej bustin e bronxit kushtuar sindikalistit socialist Placido Rizzotto, vrarë nga mafiozi Luciano Liggio në 1948 dhe të zhdukur në grykat e Rocca Busambra.

Duket sikur banorët nuk e vuajnë famën mafioze, përkundrazi bashkëjetojnë paqësisht me të duke e shfrytëzuar sa të munden. Në Corleone ka shumë histori, monumente, 100 kisha, një ujëvarë, një kanion të mrekullueshëm, rrjedh lumi San Leonardo, ka fusha dhe kodra të tëra të mbjella por turistët pak interesohen për mrekullitë natyrore dhe më së shumti vijnë të shohin vendlindjen e padrinove. Në Corleonen e pushtuar nga heshtja, ku çdo vit popullsia rrudhet ( sot ka me pak se 10 mijë banorë, nga 11 mijë që ka pasur në 2017) rrugët janë të zbrazëta, shtëpitë e “capi dei capi” bosh, kishat pa besimtarë.

Ndërkohë në Itali, mbrëmë vdiq Matteo Messina Denaro, djali shpirtëror i Riina-s, një nga bosët e fundit mafiozë që u prangos 8 muaj më parë pas një arratie 30 vjeçare. Me vdekjen e tij merr fund një jetë e dhunshme, me komplote e sekrete që i mori me vete në ferr. Merr fund një epokë e Cosa Nostra-s, por jo Cosa Nostra – siç shkruante sot Corriere Della Sera.

error: