Nga Juli PRIFTI
Tek çezma në rrugën kombëtare që kalon përmes fshatit të vjetër të Dhërmiut nis një nga shtigjet më piktoreske këmbësore që mund t’ju dërgojë në disa nga plazhet më të bukura të Rivierës.
Dhërmiu me shtëpitë e bardha dhe kambanoret e kaltra si deti që ka përballë nuk ka si të përshkruhet. Aromë deti, lirie dhe ndjesi autentike.
Në pjesën e sipërme të fshatit ekziston një burim i madh natyror uji që zbret nga mali që ka furnizuar historikisht mullinjtë e vjetër të ujit që ndodhen përgjatë shtegut deri në det.
Itinerar historik dhe natyror prej 1.5 km që lidh fshatin tradicional me bregun e detit, i shtruar me gurë dhe i pajisur me tabela orientuese, shtegu ofron zbritje piktoreske drejt plazhit ku rrugës shihen rrënojat e mullinjve të vjetër të ujit.
Dhërmiu i poshtëm tashmë jep ndjesinë e një qyteze të vërtetë bregdetare ndërsa plazhet janë gati për të pritur sa më shumë pushues.
Në fund të plazhit të Dhërmiut mes shkëmbinjve fshihet nisja e shtegut të ngushtë që ngjitet e gjarpëron mes gjelbërimit të shkurreve mesdhetare (pralli është një prej tyre nga gjethet me gjemba të të cilit duhet të kesh shumë kujdes). Shtegu të ngjit deri tek Manastiri i Shën Theodhorit.
Manastiri dikur repart ushtarak tashmë është i rrethuar me mure guri ndërsa sheshi përpara tij dhe rrugica janë të shtruara me kalldrëm.
Derën e gjejmë të mbyllur por ka njerëz që e mbajnë mend kur përdorej nga ushtria. Ndoshta asgjë s’ka mbetur nga ky manastir siç duhej të ishte ruajtur, por vendndodhja e tij me një panoramë të gjerë mbi detin e kaltër të jugut dhe mes gjelbërimit e vlen një ndalesë.
Pas hijes së rrapit në sheshpushimin e manastirit nis zbritja drejt parkingut të Gjipesë për të vijuar rreth 30 deri në 45 minuta (rreth 2 km) në një shteg gurishtor dhe pa hije, por me pamje mahnitëse panoramike mbi det.
Gjithkush që e viziton këtë pjesë të Rivierës Shqiptare mahnitet nga ngjyrat e saj, bluja e thellë e detit, qielli i kaltër, dielli i fortë, gjelbërimi i shpateve që zbresin në det.
Gjipeja na pret me surpriza. Gjiri është përplot me njerëz sa mezi gjendet një çadër në radhën e tretë.
Uji i kthjellët kristal freskon më shumë se kurrë pas diellit zhuritës të rrugës. Plazhi është i mbushur me turistë nga vende të ndryshme ndërsa edhe shumë të tjerë arrijnë me gomone. Njëra pas tjetrës sjellin njerëz që mbushin kampingun në hyrje të kanionit të Gjipesë, për të kaluar pasditen dhe darkën në ritmet e muzikës.
Plazhi i Gjipesë një nga perlat e Rivierës Shqiptare, i njohur më parë për izolimin e tij, kanionin mbresëlënës dhe ujërat kristal të kaltra tashmë është më i aksesueshëm. Edhe makinat e larta mund ta bëjnë rrugën e çakullit deri te parkingu, por pjesa më e madhe e turistëve që nuk mbërrijnë nga deti, zgjedhin ta bëjnë në këmbë, pasi vërtet panorama e bregut deri shumë larg vijës shqiptare e ishujve grekë, është për të mos u humbur.
I ndodhur mes fshatrave Dhërmi dhe Vuno, ky gji rrethohet nga shkëmbinj të lartë që kanë krijuar guva të vërteta pranë ujit që ndryshon sipas të gjitha reflekseve të blusë dhe së gjelbrës. Sipas gojëdhënave lokale, emri “Gjipe” vjen nga bashkimi i fjalëve “Gjiri i Perëndisë”.
Gjiri i Gjipesë kombinon në mënyrë perfekte plazhin me disa aktivitete që tërheqin përgjithësisht të rinjtë, kampingun në natyrë dhe zhytjen, ku snorkeling ofron pamje të jetës së pasur detare dhe shpellave nënujore.
Eksplorimi i kanionit ofron mundësi fantastike për ngjitje dhe aventura mes shkëmbinjve ndërsa hyn në një botë tjetër në shtratin e tharë të lumit, me zhavorr dhe shkëmbinj madhështorë që duken si të hedhur vend e pa vend në një lojë gjigandësh. Më aventurierët mund t’i shkojnë kanionit deri në fund, me disa segmente ngjitjeje të vështirë me litar për të dalë në fshatin Iljaz.
Pas plazhit, preferojmë të ndjekim itinerarin e përcaktuar drejt fshatit Vuno.
Shtegu është i ngushtë mes gjelbërimit por shumë i bukur. Kalon në disa ullishta të moçme me orkada, e lisa shekullorë me trungje që nuk i përqafojmë dot as vetë i pestë.
Fshati Vuno shfaqet në shpatin e malit të Çikës, ndër më karakteristikët e Rivierës Shqiptare, në formë amfiteatri me shtëpi guri dy ose trekatëshe, rrugica të ngushta me kalldrëm dhe ballkone plot me lule, hardhi e pemë. Në njërën prej shtëpive me mure të bardha, limonë të verdhë e jeshilë janë ende në pemë ndërsa hardhitë krijojnë tunel natyral.
Shtëpitë e gurta të bardha me dritare të vogla dhe porta të harkuara nga larg në tërësinë e tyre duken si kështjellë.
Fshati mbart edhe pasuri të madhe kulturore duke qenë një nga më të vjetrit e zonës. Kishat më të njohura janë ato të Shën Spyridonit dhe Kisha e Shën Mërisë së Mesodhisë.
Ndërsa ngjitesh nga lagjet e poshtme të fshatit sheh një pamje që pak e njohin nga ata që nuk kanë lindur aty. Sapo shkallët marrin fund del drejt e në rrugë dhe përpara ke sheshin e Vunoit, me kafenetë e vogla, lapidarin kushtuar dëshmorëve, rrugicat që ngjisin drejt lagjeve të sipërme dhe atë ndjesinë që të ndjek kudo si kur mbaron shkollën dhe përpara ke pushimet e verës. Ndjenjë lirie dhe qetësie, aventure, aromash e shijesh.
Njerëzit janë mikpritës dhe kafenetë janë të mbushura me banorë që shohin ndeshjen e kampionatit botëror të futbollit dhe turistë që shijojnë një kafe apo një birrë përpara se të vijojnë rrugën drejt jugut të thellë.
Para se t’i drejtohemi Tiranës një vështrim të fundit nga parmaku i rrugës drejt detit ku ngjyrat e perëndimit po bëhen të dukshme edhe pse nuk shihet dielli që zhytet në det.
Në fshatrat e bardhë të Rivierës blu, nga Dhërmiu në Vuno, foto: Juliana Prifti///

















































ME SHUME LAJME
MEPJ: Dënojmë përdhosjen e flamurit të Izraelit në Tiranë nga protestues të maskuar, akt i turpshëm që nxit urrejtje
Kulturë. Së shpejti: Kolegët e tij risjellin regjisorin e shquar, Thoma Milaj
Ksamili nga qytezë pushimesh në trend ndërkombëtar, ndërhyrje urbane për përvojë autentike