Nga Genci YMERAJ
(Një ditë më parë u nda nga jeta gazetarja e njohur e Radio Tiranës, Afërdita Selimi)
Atë natë kish ndodhur tragjedia e Otrantos. Duhet të ketë qenë ora 10 e paradites, kur Dita më thirri e më tha se do të hynim bashkë në studio për të lexuar drejtpërdrejtë emrat e atyre që kishin mbetur në fund të detit, bashkë me “Katrin e Radës”. Ajo ishte redaktore përgjegjëse asokohe e unë fare i ri, pa qenë kurrë folës lajmesh.
Mbaj mend se lista ishte e gjatë. Shumë prej njerëzve që kishin marrë atë udhëtim vdekjeje, ishin ende pa emër. Lexonim diku “një burrë”, diku “djali i tij”. Lista ishte hartuar dhe me ato që kishin thënë të mbijetuarit. Radio Tirana ishte mjeti më informues i atyre kohëve te trazuara.
Mbaj mend që Dita qante në kohën që lexoja unë. Me ngashërime. Nuk di si arritëm deri në fund të listës dhe sapo mbylla mikrofonin për t’i folur, ajo më kapi prej krahu e tha: “E di Genc e di, nuk është profesionale, por është gjëmë e madhe për Vlorën time, e mbi të gjitha shumë prej mbiemrave i kam të njohur”..E kujtova sot, kur Afërdita Selimi u largua nga kjo botë.Dheu i lehtë Dita! E blertë, të qoftë lëndina!///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.