– Ish-presidenti, Bujar Nishani e konsideron mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike mbajtur dy ditë më parë “një teatër absurd”.
Nishani i cili është automatikisht anëtar i Këshillit thotë se Kuvendi u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD-së dhe të opozitës, por u thirr për të mbuluar hallin politik të Lulzim Bashës.
“Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka qenë historikisht evenimenti jo vetëm më i rëndësishmi nga pikëpamja institucionale por dhe më emocionali nga pritshmëritë dhe inspirimi politik. Veçanërisht në kohën opozitare ai ishte i vetmi vend e moment ku projektohej vizioni i ri politik, platformat e betejës politike dhe hapësira e resurseve të vlefshme njerëzore. Nuk është se në të shkuarën kuvendet kanë prodhuar “çudira”, ka patur dhe momente për tu harruar, por në tërësinë e tyre më e pakta kishin seriozitetin dhe para betejave elektorale kanë projektuar fitoren. Kuvendi i fundit Kombëtar ai i 17 korrikut 2021, megjithëse i pari në llojin e vet do të duhet të harrohet sa më shpejt”, shprehet Nishani.
Ai thekson se “si shumë fenomene që po i ndodhin PD për herë të parë në historinë e vet, ashtu dhe Kuvendi i saj Kombëtar për herë të parë u kthye në një Teatër Absurd”.
“Kuvendi Kombëtar i PDSH u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të Lulzim Bashës. Situata e rëndë për PD dhe opozitën si institucion kërkonte krejt tjetër gjë. Dramatikisht tjetër. PD vinte në këtë Kuvend me humbjen e 4 (katërt) radhazi përballë kundërshtarëve të vet. PD për herë të parë në historinë e saj mbetet 3(tre) mandate rrjesht në opozitë, (12 vjet) dhe me risk shumë të lartë për ti humbur përsëri zgjedhjet e radhës. PD vinte në këtë Kuvend më e përçarë se kurrë dhe me një strukturë në kaos, të lënë në mëshirën e fatit për vite me radhë. PD vinte në këtë Kuvend pa asnjë kolonë identiteti si parti konservatore, pa ideologji, pa ekip përfaqësues, me humbje të madhe besimi pas dështimit të rëndë elektoral. PD vinte në këtë kuvend me rezultate fataliste, duke marrë në zgjedhjet e 25 prillit 60 mijë vota më pak se sa në vitin 2013 kur doli humbëse pas 8 vitesh në qeverisje dhe me 120 mijë vota më pak se sa në 2009 kur ishte fitorja e fundit për PD”, shton Nishani.
Ai nënvizon se “Kuvendi duhej të ishte vendi dhe koha e analizës përfundimtare, e reformimit tërësor të statutit të partisë, e marrjes së përgjegjësive politike, të ideimit dhe qartësimit të parimeve ideologjike dhe kolonave themelore të partisë, të miratimit të tezave të betejës politike, e vijave të kuqe ndaj regjimit përballë, e hapësirës për qytetarinë e stilin modern të bërjes politikë, të ndryshimit radikal të modelit për krijimin dhe funksionimin e instrumentave dhe institucioneve brenda partiake”.
Sipas tij, duhet të ishte Kuvendi i “Pikave mbi “Δ, të ishte momenti i fillimit të rikthimit të shpresës, por të gjitha këto u refuzuan e u zëvendësuan me një teatër absurd.
“Të vetmet ndryshime statutore ishin kundër vetë partisë, kundër vetë anëtarëve të partisë. Shndërrimi i Këshillit Kombëtar nga një institucion i lartë vendimmarrës në copëzim departamentesh këshillimore e dëmton rëndë vetë partinë. Këshilli Kombëtar duhet të përfaqësonte në mënyrë proporcionale shtrirjen territoriale të PD. Kukësi, Gjirokastra, Peshkopia, Korça, Tirana, Elbasani, Durrësi, Mirdita, Devolli, Malësia, e kështu me radhë të gjitha rrethet, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë në Këshill. Heqja e të drejtës së propozimit edhe formal të anëtarësisë për kandidatët në zgjedhjet lokale, tregon se përçmimi ndaj anëtarësisë është karakteristika e lidershipit aktual në detyrë”, deklaron ai
GjithasHtu, Nishani shton se “ky kuvend duhet të kishte sanksionuar motodikën e garës në parti. Primaret si dimension i lirisë, demokracisë, meritokracisë dhe mundësisë për fitore duhet të ishte formula themelore në ndërtimin e strukturës garuese si brenda partisë ashtu dhe në përzgjedhjet e përfaqësimit në garat elektorale lokale e qendrore”.
“Nëse flasim për hapje të partisë ndaj vlerave përfaqësuese e influencuese në opinion, vetëm sistemi i garës së drejtë e garanton hapjen e partisë. Çdo gjë tjetër është veçse retorikë pavlerë. Ky kuvend duhet të kishte sanksionuar integritetin e përfaqësuesve. Marrja dhe bërja publike me detyrim e vërtetimit të pastërtisë së figurës nga komisioni i dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për të gjithë ata që garojnë nga niveli i kryetarit të degës, Këshillit Kombëtar, Kryesisë Qendrore e çdo niveli tjetër qendror (departamente, sekretariate, komisione) duhej sanksionuar në Statut. Statuti nuk duhej të lejonte askënd të hynte në garë për këto mekanizma pa e bërë më parë publik këtë dokument”, shprehet më tej ish-presidenti.
Sipas tij, “vetëm kështu do të sigurohej integriteti i përfaqësimit. Çdo gjë tjetër është retorikë pavlerë. Ky Kuvend kishte shumë punë për të bërë por nuk bëri asnjë”///
ME SHUME LAJME
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.