Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se Partia Socialiste me në krye kryeministrin Edi Rama është duke shkelur Kushtetutën me ndryshimet ligjore të propozuara për moslejimin e pezullimit nga detyra me vendim të gjykatës të funksionarëve kushtetues.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se, ky amendament i paraqitur nga mazhoranca është një grusht shteti.
“Një akt antikushtetues, tepër të rrezikshëm ka paraqitur amendamenti Rama-Balluku, me të cilin kërkon t’i japë ministrit, t’i japë zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit atë mbrojtje që Kushtetuta nuk ia ka dhënë.
Ka një parim themelor të sanksionuar në frymën dhe germën e Kushtetutës, sipas të cilit për funksionet kushtetuese të organeve, atë që nuk ka dashur të bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji. Kushtetuta nuk ka dashur të mbrojë kryeministrin, ministrat dhe KLSh-në nga pezullimi. Nuk mund ta bëjë ligji”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se “Kryeministria është organ kushtetues. KLSh është organ kushtetues. Ministritë janë organe kushtetuese dhe nuk mund t’u japësh kurrë mbrojtje tjetër përveç asaj që i ka dhënë Kushtetuta. Jo! Sepse është tejkalim flagrant i Kushtetutës”.
“Kjo nuk buron vetëm nga fryma dhe germa e Kushtetutës dhe kushtetutshmëria e rendit, por buron edhe nga vendimet direkte të Gjykatës Kushtetuese, të cilat për çdo vend janë të barabarta me normën e Kushtetutës.
Kur në vitin 2002, parlamenti në një akt marrëzie si ky që duan të bëjnë tani, miratoi ligje dhe amendamente për të mbrojtur kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit – vendimi numër 212, i vitit 2002, i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese hodhi në kosh të plehrave amendamentet, ligjin e ndryshuar për një mburojë më të madhe të kryetarit të KLSh, që Edi Rama sot do t’ia japë. Jo, tha gjykata, thjesht ligji për organin kushtetues nuk mund të japë atë që nuk e ka dhënë Kushtetuta”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “Kushtetuta ka përcaktuar këtë nivel mbrojtjeje. Ka përcaktuar nivel mbrojtje autorizimin nga parlamenti për kufizimin e lëvizjeve, të cilin e rrëzoi Gjykata Kushtetuese dhe unë e përgëzoj. E rrëzoi në rastin e Sali Berishës dhe unë e përgëzoj atë, pavarësisht se është një vendim në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, por ata nuk kanë as ligj dhe as Kushtetutë”.
“Pra, nuk lejon pa autorizimin e parlamentit, kufizimin e lëvizjes. Nuk lejon arrestimin. Kushtetuta mbron institucionin dhe funksionet e tij. Kushtetuta në asnjë germë, në asnjë nen nuk pranon të mbrojë me mospezullim. Jo! As kryeministrin. Pra, Edi Rama kërkon të shkelmojë jo vetëm frymën dhe germën e Kushtetutës, por edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Berisha.(Arbi FORTUZI)///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.