Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri u shpreh sot se Kryeministri Edi Rama fsheh udhëtimet luksoze me charter.
Në një konferencë për mediet, Pampuri u shpreh se, “Edi Rama vazhdon të refuzojë të bëjë transparencën e shpenzimeve të udhëtimeve të tij luksoze me charter”.
“Që nga viti 2020 Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Vip’ me të cilin udhëton Edi Rama. Që prej asaj kohe, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit, mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe transparenca e udhëtimeve dhe kostove është zero”, theksoi Pampuri.
Për këtë arsye, shtoi ajo, “sot ne i kemi kërkuar zyrtarisht informacion Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare”.
Pampuri tha se, përmes kësaj kërkese zyrtare i ka adresuar 6 pyetje DSHQ-së.
“Marrëveshjen e bashkëpunimit dhe çdo korrespondencë ndërmjet institucionit tuaj me shoqërinë “Air Albania shpk”, lidhur me ofrimin e shërbimit të fluturimeve të posaçme më avion charter për Kryeministrin dhe çdo zyrtar tjetër (dokumentacioni në kopje të njehsuar me origjinalin si dhe çdo korespondencë dhe procesverbal lidhur me marrëveshjen).
Bazuar në të dhënat e tregut, ku vlera e udhëtimeve me avion charter varion minimalisht nga 15 mijë euro ora, cila është arsyeja e përzgjedhjes nga institucioni juaj të shërbimit të udhëtimeve nëpërmjet fluturimeve me avion charter për Kryeministrin?
Sa është afati i kohëzgjatjes së marrëveshjes së bashkëpunimit për ofrimin e shërbimit të fluturimeve me avion charter ndërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe shoqërisë Air Albania shpk?
Si është llogaritur tarifa e shërbimit dhe çfarë zërash përfshin?
Sa është numri i udhëtimeve me avion charter dhe vlera totale e paguar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, nga momenti i hyrjes së fuqi të Marrëveshjes deri sot?
Listoni në mënyrë shteruese të gjitha udhëtimet e kryera me avion charter nga ana e Kryeministrit apo çdo zyrtar tjetër bazuar në marrëveshjen e mësipërme, duke përcaktuar për çdo rast vlerën e çdo udhëtimi si dhe vlerën e zërave përkatës së tarifës së shërbimit për çdo udhëtim, e cila përfshin koston e karburantit, taksat aeroportuale dhe përpunimi në tokë (ground handling), apo çdo kosto tjetër”, tha Pampuri.
“Në kushtet kur Shqipëria renditet në vendet më të korruptuara dhe ndër më të varfrat e Evropës, Edi Rama shton luksin e tij me paratë e shqiptarëve Në 8 vite, vetëm shpenzime për luks qeveria e tij ka shpenzuar 798.3 milionë euro. Vetëm për udhëtime janë shpenzuar 171 milionë lekë, pa llogaritur kostot e udhëtimeve me charter”, u shpreh ajo.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.