SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

PD. Ina ZHUPA: Të hiqet dorë nga gjobat për impiantet e trajtimit të ujërave të zeza

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se ndërsa qeveria bën propagandë të madhe me turizmin, është duke masakruar me gjoba bizneset turistike në mënyrë abuzive.

Në një deklaratë për mediet, nga selia e PD-së, Zhupa tha se “është e paprecedent sesi biznese në fushën e hotelerisë, që zhvillojnë aktivitetin në buzë detit, lumenjve apo liqeneve, që kanë lidhje të rregullt kontrate me shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimeve për ujërat e zeza, marrin gjoba nga një task forcë”.

“Është ngritur një Taskforce nga ministret Balluku-Kumbaro që qëllimin e vet në letër e ka pozitiv për menaxhimin e ujërave të ndotura, kurse në praktikë gjobit biznese që nuk ndotin dhe kanë kanalizime në ujërat e zeza dhe kontrata të rregullta me UK”, tha ajo.

Kjo Taskforcë, sipas saj, nuk shikon a i hedhin këto ujëra të ndotura në burimet ujore, por shikon a kanë blerë impiantin që ka vendosur shteti që kushton nga 20-100 mijë euro në varësi të madhësisë.

“Vendosen gjoba bizneseve nga 15 milion në 30 milion lekë dhe këto gjoba janë vendosur si titujt ekzekutiv për të cilat vetëm në gjykatë mund të ankohesh”, informoi Zhupa.

Zhupa, ndër të tjera deklaroi se mosblerja e impianteve që kërkon qeveria dhe ka paracaktuar vet ajo çon deri në humbjen e licencës së aktivitetit.

“Partia Demokratike i bashkohet thirrjes së shoqatave të turizmit për të kërkuar heqjen dorë nga gjobat e një akti të paligjshëm mbi subjektet që janë të lidhur në kolektorin kryesor të UK dhe kanë kontratë të rregullt me UK”, deklaroi Zhupa.
Në emër të PD-së, Zhupa u kërkoi dy ministreve Balluku dhe Kumbaro që Taskforca e tyre të klasifikojë mirë kush janë subjektet për të cilat duhet të veprojë ky akt normativ dhe më pas të veproj.

“Ato duhet të ndryshojnë udhëzimin e tyre që e kanë bërë duke pasur qëllim të favorizojnë ata që shesin impiante dhe jo të trajtojnë ujërat e zeza. Mbështesim çdo veprim në mbrojtje të mjedisit por kundërshtojmë me forcë këto gjobëvënie biznesit të ndershëm që nuk ndot por goditet për të mbushur arkën e shtetit dhe xhepat e klientëve të paracaktuar për impiante”, u shpreh Zhupa.

Në fund të dhjetorit 2023 u miratua Akti Normativ “Për marrjen e masave urgjente për mbrojtjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujrave të ndotur që derdhen në ujëra larës”.

Në shkurt të këtij viti u krijua Taskforca e dedikuar për kontrollin e menaxhimit të ujërave të ndotura në sektorin e turizmit bregdetar, me qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësinë e ujërave larës në plazhet buzë detit, liqeneve apo lumenjve, një rregullim i përbashkët i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Bizneseve ju la 90 ditë afat për vendosjen e impianteve të përpunimit të ujërave të ndotur. Pas 90 ditësh, Taskforca kishte të drejtën e lënies edhe të 60 ditë kohë para se të vendosë masën e parë administrative.

error: