SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

PD mban protestën e tretë kombëtare para Kryeministrisë

Partia Demokratike dhe aleatët e saj zhvilluan sot protestën e tretë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë.

Një pjesë e protestuesve u grumbullua fillimisht pranë selisë së Partisë Demokratike, nga ku, së bashku me kryetarin Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së, marshuan drejt bulevardit për t’iu bashkuar protestës.

Në podiumin e ngritur përpara Kryeministrisë, pas këndimit të himnit kombëtar, eksponentë të Partisë Demokratike mbajtën fjalime para qytetarëve të pranishëm, duke shpalosur qëndrimet e tyre politike dhe kërkesat e protestës.

Në fjalën e tij nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj theksoi se protesta nuk është e zakonshme, por një reagim ndaj një sistemi që po i afrohet fundit.

“Sot nuk jemi mbledhur për një protestë të zakonshme, por jemi këtu sepse këtij sistemi palegjitimiteti po i afrohet fundi. Ky sistem ka shkelur çdo premtim, ka dhunuar votën e lirë, ka zgjatur jetën e vet përmes manovrave të padenja, duke shndërruar shtetin në instrument pushteti”, tha Gjekmarkaj.

Sipas tij, pushteti aktual po sakrifikon të ardhmen evropiane të vendit për interesat e veta dhe është gati “të grisë Kushtetutën përmes tiranisë së shumicës”. Gjekmarkaj nënvizoi se “kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia fillon dhe vdes ngadalë”.

“Korrupsioni u shndërrua në mënyrë qeverisje, shteti u mbyt nga babëzia. Jeta e përditshme e shqiptarëve është një kthim pas. Ne po sakrifikojmë për ëndrrën evropiane, ndërsa pushteti aktual është gati të sakrifikojë Evropën vetëm për të shpëtuar veten. Janë gati të grisin Kushtetutën nëpërmjet tiranisë së shumicës abuzuese. Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit demokracia fillon dhe vdes ngadalë. Sot janë sosur kufijtë e durimit kombëtar. Jemi këtu për të mbrojtur pluralizmin, shtetin ligjor, të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi këtu në këtë bulevard për t’i kthyer Shqipërisë mbi një dekadë jetë të grabitur”, tha Gjekmarkaj.

Deputeti i PD-së deklaroi se opozita ka një detyrë morale për të mbrojtur pluralizmin dhe shtetin ligjor, duke përfunduar se “demokracia nuk është dhuratë, por betejë” dhe se “koha për të reaguar është tani”.

Kryetari i opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti tha në fjalën e tij se politikat e ndjekura nga qeveria po e çojnë Shqipërinë drejt shpopullimit. Sipas Alimehmetit, mbi 1,6 milionë shqiptarë jetojnë sot jashtë vendit, ndërsa një në pesë qytetarë po mendon të largohet.

Ai e cilësoi këtë fenomen si pasojë direkte të qeverisjes aktuale. Alimehmeti theksoi se abuzimi me pasuritë publike nuk është vetëm çështje shifrash, por ka pasoja të drejtpërdrejta sociale.

“Është fakt që mbi 1,6 milionë shqiptarë sot janë jashtë Shqipërisë. Është fakt që 1 në 5 shqiptarë po mendon të largohet. Gjithë kjo për shkak të politikave që ndjek Edi Rama dhe Rilindja. Politika që bazohen në shpopullim dhe abuzim të pasurive publike”, tha ai.

Alimehmeti nënvizoi se largimi i qytetarëve është akuza më e rëndë që mund t’i bëhet një qeverie.

“Sot mund të flasim për dështimin e qeverisë, në luftën kundër korrupsionit, në shëndetësi, në arsim, në luftën kundër trafikut, por nuk ka akuzë më të madhe historike për një qeveri sesa populli kur ikën. Kur populli të largohet, të shkon rrugëve të botës, kjo është akuza më e madhe publike, shpopullimi i këtij vend”, tha ai.

Në tubim e morën fjalën edhe nënkryetarja e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Desada Xhetani, ish-kandidatët për deputetë të PD-së Aulon Kalaja dhe Xhonatan Pano.

PD kërkon largimin e qeverisë, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira.

Për të garantuar rendin publik dhe sigurinë gjatë zhvillimit të tubimit, policia ka ndërmarrë masa, duke kufizuar qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore. (Marseda QEFALIA).///

Protesta III Kombëtare e PD
Agron Gjekmarkaj, Deputet i PD

error: